Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskiy ka reaguar për atentatin që ndodhi këtë të mërkurë ndaj këshilltarit të tij kryesor, Serhiy Shefir.
Zelenskiy tha se nuk e dinte se kush ishte prapa atentatit ndaj Shefir por shtoi se kjo mund të ishte “fuqi” e brendshme apo e huaj.
“Kush qëndron pas kësaj, sinqerisht, nuk e di. Cilat janë këto fuqi? Mund të jenë të brendshme, ndoshta të jashtme. Të më ‘përshëndetësh’ me të shtëna nga pylli në makinën e mikut tim është një dobësi.”- tha Zelenskiy në një deklaratë televizive, citon Reuters.
Presidenti tha se ai do të kthehej nga Shtetet e Bashkuara menjëherë pas fjalimit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB -së.
Shefir konsiderohet një mik i vjetër i Zelenskiy-t. Sipas raporteve të mediave, ai është përgjegjës për axhendën ditore të kreut të shtetit. Ai është gjithashtu drejtor dhe themelues i Studio Kvartal-95.
Siç shkruan Reuters, Oleksandr Korniienko i cili është kreu i partisë politike të presidentit tha se Rusia mund të fshihet prapa atentatit.
Mirëpo Rusia i ka hedhur poshtë këto deklarata. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se sugjerimet për përfshirjen e mundshme të Rusisë në tentativën e vrasjes së ndihmësit presidencial ukrainas “nuk kanë asnjë lidhje me realitetin”.
“Fatkeqësisht, në kohën tonë në Ukrainë, pavarësisht se çfarë ndodh, asnjë nga politikanët aktualë nuk është në gjendje të përjashtojë ‘gjurmën’ ruse.” – tha Peskov, duke komentuar deklaratat nga Kievi.
“Kjo, natyrisht, nuk ka të bëjë me gjendjen e vërtetë të punëve, por me shenja të një gjendjeje emocionale të lartë.”– shtoi zëdhënësi i Kremlinit, sipas agjencisë së lajmeve TASS.
Këtë të mërkurë, pranë Kievit, u qëllua drejt një makine në të cilën po udhëtonte ndihmësi i Presidentit të Ukrainës, Sergey Shefir. Ai nuk u plagos, por shoferi i tij u plagos. Ministria e Punëve të Brendshme të Ukrainës konfirmoi faktin që në makinë ishte Shefir, dhe njoftoi fillimin e hetimit.