Votuesit zviceranë do të vendosin të dielën nëse çiftet e së njëjtës gjini do të lejohen të martohen dhe adoptojnë fëmijë, pas një fushate të ngarkuar emoocionalisht në një nga vendet e fundit të Evropës Perëndimore që ende ndalon martesat mes homoseksualëve.
Qeveria dhe Parlamenti i Zvicrës votuan pro martesës së çifteve të së njëjtës gjini, por kundërshtarët konservatorë morën nismën për një referendum mbi këtë çështje, nën sistemin zviceran të demokracisë direkte, raporton Reuters.
Zvicra së bashku me Italinë dhe Greqinë janë vendet e fundit në Evropën Perëndimore që ende ndalojnë martesat mes homoseksualëve.
Në një sondazh të fundit nga gfs.bern për transmetuesin zvicerian SRG të publikuar javën që shkoi, 63 për qind e votuesve pritet të përkrahin miratimin e martesave të gjinisë së njëjtë, ndërsa 35 për qind janë kundër. Shifrat tregojnë se fushata e kundërshtarëve ka fituar mbështetës që nga sondazhi i kaluar në gusht.
Kundërshtatët thonë se lejimi i çifteve lezbike që të kenë fëmijë, do t’i privonte fëmijët nga një baba.
Partneriteti civil që mundëson të drejta të ngjashme me të martuarit u lejua në Zvicër më 2007, ndërsa më 2018 qiftet e gjinisë së njëjtë fituan të drejtën e adoptimit të fëmijëve që kishin prindër njërin partner.
Gjatë fushatës, kundërshtarët përdorën imazhe të ngarkuara emocionalisht të foshnjave duke qarë dhe vendosën fjalën “skllevër” të shkruar mbi barkun shtatzënë, duke iu referuar procesit të lindjes së fëmijës për dikë tjetër. Organizatorët e paradës e cilësuan fushatën si brutale dhe me fotografi të neveritshme.