Dy persona janë arrestuar në flagrancë, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim në Tiranë pasi akuzohen për kultivim kanabisi.
Lidhur me rastin në fjalë janë proceduar penalisht dy persona mes të cilëve është edhe Kryeplaku i fshatit Mal Vilës.
Në pranga kanë rënë 26-vjeçari me iniciale H.Gj e 48-vjeçari me iniciale N.Gj. ndërsa në kërkim është shpallur 54-vjeçari me iniciale H.Gj.
Ata akuzohen se kanë mbjellë kanabis në fshatin Mal Vilës. Po kështu janë proceduar penalisht 45-vjeçari me iniciale R.Gj. e 51-vjeçari me iniciale F.K., Kryeplak i fshatit.
Njoftimi
“DVP Tiranë
Vijojnë kontrollet për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike.
Goditen 2 raste të tentativës për kultivim të bimëve narkotike nga Komisariati i Policisë Nr.4.
Arrestohen në flagrancë 2 shtetas, shpallet në kërkim 1 shtetas dhe procedohen penalisht 2 të tjerë(ndërmjet tyre dhe kryeplaku i fshatit).
Në vijim të punës për parandalimin evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.4, si rezultat i kontrollit të pandërprerë të territorit kanë evidentuar dhe goditur 2 raste të tentativës për kultivim të kanabisit në vendin e quajtur “Mal Vilës”, duke bërë arrestimin në flagrancë të shtetasve:
H.Gj., 26 vjeç, N. Gj., 48 vjeç, dhe shpallën në kërkim shtetasin Xh. Gj., 54 vjeç, si autorë të dyshuar të kultivimit.
Në vijim të veprimeve u proceduan në gjendje të lirë shtetasi R. Gj, 45 vjeç, për veprën penale “Moskallëzim i krimit” dhe shtetasi F. K., 51 vjeç (kryeplaku i fshatit Mal Vilës) për veprën penale “Shpërdorim detyre”.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.