Vendosni fjalën kyçe....

Flamur Noka: Basha po u kërkon kryetarëve të degëve t’i mbyllin dyert Berishës, Kuvendi Kombëtar do mblidhet kundër tij


Pas Sali Berishës, edhe deputeti Flamur Noka e ka sfiduar hapur kryetarin e PD-së Lulzim Bashën për të mbledhur Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike. Sipas Nokës, ky Kuvend s’do të mblidhet kundër SHBA-ve por pikërisht kundër Bashës.

Deputeti shprehet se Basha, u ka kërkuar kryetarëve të degëve për të sabotuar turin e takimeve të ish-kryeministrit dhe ish-kryetarit të kësaj force politike Sali Berisha, me bazën e partisë.

“Nuk mund të pretendojmë që të vazhdojmë me të ashtuquajturën rutinë, kur situata është e jashtëzakonshme në Partinë Demokratike, kur ngjarjet që kapin njëra-tjetrën janë të jashtëzakonshme dhe kur PD po lëngon si pasojë e një vendimi okult të marrë në mes të natës nga kryetari i partisë, individualisht dhe në shkelje të Kushtetutës së partisë dhe të vullnetit të anëtarësisë së Partisë Demokratike.

I bëra me dije faktin që kryetari duhet të kontrollojë artikulimin e tij sepse nuk mundet që lideri i opozitës të kapet pas të ashtuquajturës pro-amerikanizëm të kryetarit dhe pastaj të sulmojë bazën e partisë si anti-amerikane.

Ajo që i bëra me dije është që Kongresi i PD-së do të mblidhet, Kuvendi Kombëtar do të mblidhet dhe nuk mblidhet për të shqyrtuar asnjë vendim të SHBA-ve. Sepse çdo kush e di se vendimet e SHBA i shtyrtojnë vetëm institucionet e SHBA-ve. por ky Kuvend do të mblidhet kundër Lulzim Bashës, kundër kryetarit të Partisë Demokratrike i cili tashmë është minorancë, ilegjitim dhe nuk nuk përfaqëson shumicën e PD-së.

Duhet të ketë parasysh që ky nuk do të jetë Kuvend kundër SHBA por kundër tij.

Nga informacionet që kemi është se ka disa ditë që ka filluar një tur takimesh me drejtuesit e degëve duke i thirrur këtu për të mos hapur dyert për liderin historik të PD, për të bërë gjithçka për të ia sabotuar takimet. Kjo nuk është thjesht e turpshme, kjo është e neveritshme, tregon panikun që e ka zënë kryetarin nga lëvizja e demokratvve. Ai e di shumë mirë që nuk përfaqëson shumicën e demokratëve.”– deklaron Noka.