Vendosni fjalën kyçe....

Gruaja e Albin Kurtit promovon librin e saj në Beograd, mediet serbe e quajnë “skandal”


Rita Augestad Knudsen, gruaja e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti ka promovuar një libër në kryeqytetin e Serbisë, gjë që nuk është pritur mirë nga mediet serbe.

“Skandal i paparë në mes të Beogradit! Gruaja e Albin Kurtit promovon librin e saj”– është titulli i gazetës Kurir.

Bëhet fjalë për librin “Ideja e lirisë dhe vetëvendosjes”. Me këtë rast, Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, i cili e përktheu librin në gjuhën serbe, organizoi një konferencë diskutimi mbi Vetëvendosjen.

Autorja e librit, Rita Augestad Knudsen, e cila iu bashkua konferencës përmes Zoom-it, e falënderoi organizatorin për përkthimin dhe organizimin e bisedës.

Përveç presidentes së Komitetit të Helsinkit, Sonja Biserko, në bisedë morën pjesë edhe drejtori i Forumit për marrëdhënie etnike, Dushan Janjiç si dhe profesori i Fakultetit të Shkencave Politike në Beograd, Dragan Gjukanoviç.

Të tjerë që u bashkuan online ishin edhe drejtori i Institutit të Kosovës për Kërkim dhe Zhvillim (KIPRED), Lulzim Peçi, profesori i Fakultetit të Shkencave Politike në Sarajevë, Nerzuk Ćurak, dhe profesori i Fakultetit Juridik në Podgoricë, Sërxhan Darmanoviç.

Sipas Kurir, autorja tha se pret që koncepti i Vetëvendosjes, kuptimi dhe koncepti i të cilit po ndryshon, do të kthehet në politikën ndërkombëtare.

Libri i gruas së Albin Kurtit, flet mbi rëndësinë e temës së “vetëvendosjes”, që siç shkruhet në hyrje, reflekton luftën mbi kuptimin ndërkombëtar të lirisë.