Vendosni fjalën kyçe....

I dërguari i SHBA-ve në Haiti jep dorëheqjen në shenjë proteste për dëbimin e emigrantëve


I dërguari i posaçëm amerikan për Haitin ka dhënë dorëheqjen në shenjë proteste për dëbimin e emigrantëve nga Haiti.

Vendimi për të kthyer emigrantët që ikin nga dëmet e tërmetit dhe paqëndrueshmëria politike ishte “çnjerëzor”, tha diplomati i lartë Daniel Foote në një letër dënuese.

Fundjavën e kaluar, SHBA filloi fluturimet e dëbimit nga një qytet kufitar i Teksasit, ku rreth 13,000 emigrantë ishin mbledhur nën një urë.

Ata kanë qenë duke pritur në një kamp të improvizuar në temperatura 37C.

Zyrtarët lokalë kanë luftuar për t’u siguruar atyre ushqim dhe kushte adekuate.

Që nga e diela, SHBA ka kthyer në Haiti 1,401 emigrantë nga kampi i Teksasit në kufi me Meksikën.

Në letrën e tij të dorëheqjes, Foote tha se Haiti ishte një “shtet i shembur” që “thjesht nuk mund të mbështesë infuzionin e detyruar të mijëra emigrantëve të kthyer, të cilëve u mungon ushqimi, strehimi dhe paratë”.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki u përgjigj në një konferencë shtypi: “I dërguari special Foote kishte mundësi të mjaftueshme për të ngritur shqetësime rreth emigracionit gjatë qëndrimit të tij. Ai kurrë nuk e bëri një gjë të tillë.”

Psaki gjithashtu përshkroi imazhet nga kufiri – duke treguar oficerë amerikanë të hipur mbi kalë që rrethojnë emigrantët – si të tmerrshme dhe tha se kuajt nuk do të përdoren më në zonë.

Fotografitë e shpërndara gjerësisht, të marra nga një fotograf AFP në fillim të kësaj jave, kanë ngjallur krahasime të zymta me skllavërinë amerikane dhe keqtrajtimin historik të vendit ndaj njerëzve me ngjyrë.

Kjo çoi në presion mbi administratën e Presidentit Joe Biden dhe nxiti thirrjet nga Partia e tij Demokratike për t’i dhënë Haitit azil në vend që t’i kthente në vendin e tyre.