Një informator ka pohuar në mënyrë të bujshme se Kina e ka përhapur qëllimisht Covid-19 në një turne ushtarak dy muaj para se pjesa tjetër e botës të dinte për virusin vdekjeprurës.
Ish-personi i brendshëm i Partisë Komuniste Kineze, Wei Jingsheng, tha se Lojërat Ushtarake Botërore në tetor 2019 mund të kenë vepruar si ngjarja e parë e përhapjes së virusit.
Turneu ndërkombëtar për atletët ushtarakë u mbajt në Wuhan – origjina e pandemisë Covid -19 – dy muaj para se Kina të njoftonte Organizatën Botërore të Shëndetit për rastet e saj të para.
Jingsheng pohoi se nuk ishte rastësi që disa nga 9,000 atletët ndërkombëtarë që u mblodhën për këtë ngjarje thuhet se u sëmurën me një sëmundje misterioze.
“Mendova se qeveria kineze do të përfitonte nga ky rast për të përhapur virusin gjatë Lojërave Ushtarake, pasi shumë të huaj do të shfaqeshin atje,” tha ai për dokumentarin e ri të Sky News, ‘What Really Happened in Wuhan’.
Informatori pretendoi se kishte dëgjuar se qeveria kineze po kryente një ‘stërvitje të pazakontë’ gjatë lojërave.
“E dija për mundësinë e qeverisë kineze se po përdorte disa armë të çuditshme, përfshirë armët biologjike, sepse e dija që ata po bënin eksperimente të atij lloji,” tha ai.
Pretendimet e tij u mbështetën nga ish-Këshilltari Kryesor i Kinës në Departamentin e Shtetit të SHBA-së, Miles Yu.
Ai tha se atletët francezë, gjermanë dhe amerikanë ishin ndër ata që u sëmurën në turne me simptoma të ngjashme me Covid, por kurrë nuk u testuan për virusin.
“Ne shohim disa tregues në të dhënat tona, se kishte Covid që qarkullonte në Shtetet e Bashkuara që në fillim të dhjetorit, ndoshta më herët se kaq,” tha ish-hetuesi i Departamentit të Shtetit të SHBA-së për Covid-19, David Asher.
Jingsheng gjithashtu pretendon se ai i tregoi shqetësimet e tij në lidhje me gjendjen te figurat e larta brenda administratës Trump në nëntor 2019, po u injorua.
Aktivisti, që ka bërë burg për ‘veprimtari kundërrevolucionare’, tha se e bëri këtë qasje ndërsa po pëshpëritej për një ‘virus të ri SARS’ e ato filluan të qarkullojnë në WeChat dhe platformat e tjera kineze të mediave sociale.
“Ndjeva se ata nuk ishin aq të shqetësuar sa unë, kështu që u përpoqa të bëja më të mirën për të dhënë më shumë hollësi e informacion,” tha ai.
Qeveria kineze u përpoq dëshpërimisht të bllokonte informatorët dhe të heshtte çdo diskutim mbi virusit në fazat e hershme të shpërthimit të Wuhan – edhe kur një numër i panjohur kufomash filluan të shfaqen në rrugë ose në spitalet e qytetit.
Çdo referencë e bërë në mediat sociale në lidhje me një virus të ri SARS ose ‘shpërthim’ u censurua dhe stafi mjekësor që u përpoq të fliste dhe të paralajmëronte botën u arrestua dhe u detyrua të nënshkruajë rrëfime të rreme.
Jingsheng, i cili kërkoi azil në SHBA vite më parë, tha se ishte në dijeni të asaj që po ndodhte përmes të brendshëmve të Partisë Komuniste të Pekinit, të cilët ndanë frikën e tyre për gjendjen dhe përshkruan fushatën e fshehjes së asaj që po ndodhte.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Dailymail
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani