Vendosni fjalën kyçe....

Rrëfimi i Davide Pecorellit pas rikthimit: “Kam gjetur një thesar, 3 arka me monedha ari, prifti shqiptar më ndihmoi të inskenoja vdekjen”


Pas rikthimit të bujshëm nga “vdekja”, edhe pse kjo ishte e inskenuar nga vetë ai, biznesmeni italian Davide Pecorelli pretendon se ka gjetur një thesar.

Pecorelli dyshohej se kishte vdekur 9 muaj më parë në Shqipëri, pasi makina që kishte marrë me qira, u gjet e djegur. Por, vetëm disa ditë më parë, biznesmeni u rishfaq në detin Tirren, shumë pranë ishullit Montecristo.

Dhe pikërisht në këtë vend letrar, ai thotë se ka qenë në kërkim dhe ka gjetur një thesar legjendar, plot “tre arka me nga 250 kg monedha ari secila”.

Siç raportojnë mediet italiane, ai thotë se ishte ndihmuar nga një prift shqiptar, i cili jo vetëm i kishte shpëtuar jetën, por e kishte ndihmuar edhe në inskenimin e vdekjes së tij dhe gjithashtu në kërkimin e thesarit. Në një intervistë të dhënë në “La Vita Live”, në Rai 1, biznesmeni pretendon se thesarin e ka ndarë pikërisht me priftin shqiptar, të cilit nuk dëshiron që t’ja zbulojë emrin.

“Unë kisha vendosur të bëja vetëvrasje.”– shprehet Pecorelli. Më pas shton: “pastaj shkova të rrëfehem te një prift që më bindi që të mos e bëja dhe të simuloja vdekjen time”.

Udhëheqësi fetar do të ishte bashkëpunëtori i cili do të ndihmonte Pecorellin të digjte makinën në Pukë, duke i dhënë gjithashtu eshtrat njerëzore që u gjetën të djegura në të.

Kockat ishin marrë nga një varr masiv. Por identiteti i priftit mbetet i mbuluar me mister.

“Unë kurrë nuk do ta përmend emrin e tij, ai është personi që më shpëtoi jetën.”- thotë sipërmarrësi.

Pecorelli pretendon se ka gjetur tashmë dy nga tre arkat që përmbanin arin, në Cala Corfù dhe Cala Fortezza. Pastaj, para se të gjurmonte arkën e tretë(në Cala Maestra, ai u kap nga policia pyjore e cila i dha fund “jetës së tij të dytë” si Cristiano, emri me të cilin Pecorelli e prezantonte veten në Shqipëri.

Ai kishte me vete çekiç, thasë dhe harta. Monedhat do të mbeteshin në ishull, të sigurta. Corriere dell’Umbria shpjegon se ato do të kishin qenë “shumë të rënda për t’u çuar në garazhin me qira në kontinent”.

Por Pecorelli tha: “Unë i kam fotografitë dhe i kam dërguar te Prokurori në Perugia”. Por Prokurori, i mohon detajet.