Vijojnë të jenë të bllokuara për të katërtën ditë radhazi pikat kufitare mes Kosovës e Serbisë. Shkak për këtë është bërë protesta e serbëve pas vendimit të qeverisë së Kurtit për hyrjen në fuqi së reciprocitetit të targave es dy vendeve pas skadimit të marrëveshjes së 15 shtatorit 2014.
Sipas mesiave serbe, Beogradi ka katër kërkesa që kërkon t’i plotësohen para se të fillojnë bisedimet në Bruksel për zhbllokimin e situatës së krijuar.
Sipas gazetës ‘Novosti’, presidenti i vendit kërkon formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, që Kosova të mos dërgojë forca të policisë me armatim të rëndë në veri pa lejen e KFOR-it dhe miratim të asociacionit serb, formimin e dy kompanive serbe për shpërndarjen e rrymës elektrike për serbët në veri dhe që trupat gjykues për rastet në veri të jenë në raport 2 me 1, në favor të serbëve, shkruan Koha.
Qeveria e Kosovës e vendosi reciprocitetin këtë të hënë bazuar në një marrëveshje të mëhershme mes Prishtinë e Beogradit të nënshkruar në Bruksel mbi çështjen e targave.
Nga e hëna, të gjitha mjetet me targa serbe që hyjnë në Kosovë duhet të pajisen me targa të përkohshme, njësoj siç u kërkohet shtetasve nga Kosova kur futen në territorin serb.
Kryeministri i Kosovës Kurti ka thënë se masa është e detyruar nga sjellja e palës serbe që përdor të njëjtën gjë ndaj shtetasve të Kosovës ndërsa ka theksuar se Prishtina kërkon bisedime për zgjidhjen e ngërçit të krijuar.