Vendosni fjalën kyçe....

Veliaj: Do hyjmë në histori, e kthyem fatkeqësinë e tërmetit në mundësi


Këtë të enjte, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, zhvilloi një takim me drejtuesit e shkollave në kryeqytet, ku e pranishme ishte edhe ministrja e Arsimit Evis Kushi.

Gjatë fjalës së tij Veliaj u shpreh se ky vit i ri për arsimin parauniversitar do të hyjë në histori. Kjo për investimin në infrastrukturën shkollore në kryeqytet.

“Kur mendoj vitet e para në bashki, hapëm vetëm shkollën ‘Servete Maçi’ si ndërtesë e re dhe na dukej një gjë shumë e madhe se hapëm një shkollë të re. Tani, me shkollat që hapim në shtator, do hapim edhe katër të tjera në tetor, kurse pjesën tjetër të mbetur në Janar, dhe besoj se do hyjmë në histori si një ditë ku e kthyem fatkeqësinë e tërmetit në mundësi për të bërë shkolla, një infrastukturë të jashtëzakonshme.”- deklaroi kryebashkiaku Veliaj, duke u shprehur shumë krenar që po “hapim 10 shkolla të reja këtë vit dhe i japim fund mësimit me dy turne”.

Ministrja Evis Kushi gjatë fjalës së saj vlerësoi punën dhe bashkëpunimin me Bashkinë e Tiranës, dhe e vuri theksi te standardet me të cilat po ndërtohen shkollat e reja.