Vendosni fjalën kyçe....

ARrSh: Nga dita e diel hapet për qarkullim aksi kryesor nga Ura e Lanës te Pallati me Shigjeta


Autoriteti Rrugor Shqiptar ka shpërndarë një njoftim për përdoruesit e mjeteve të cilët përdorin aksin e Unazës së Madhe.

Nga dita e dielë do hapet për qarkullim krahu i Unazës që të çon nga Ura e Lanës për në pallatin me Shigjeta. Qarkullimi në këtë krah bëhej në rrugën provizore të ndërtuar deri më tani përbri tij i cili do vijojë të përdoret për destinacionin Yzberisht, Bulevardi Migjeni dhe Kombinatin.

“Hapet për qarkullimin e mjeteve aksi kryesor nga Ura e Lanës deri te Pallati me Shigjeta

Duke filluar nga orët e para të mëngjesit të datës 26.09.2021 automjetet që do të vijnë nga autostrada Durrës-Tiranë, pas daljes nga Galeria 5, do të devijojnë majtas duke përdorur karrexhatën e re të rrugës kryesore majtas Loti 2, duke shmangur kështu rrethin provizor tek “O-Zone” e duke vazhduar më pas pa ndërprerje drejt “Pallatit me Shigjeta”.

Për automjetet që do të kenë destinacion Yzberishtin, Bulevardin “Migjeni”, “Kombinatin” për një periudhë 2-javore nuk do të kenë ndryshime në qarkullim, pas kësaj periudhe, do të kanalizohen në rrugën e re paralele të krahut të djathtë.

Kërkojmë mirëkuptimin e banorëve dhe përdoruesve të rrugës për këto ndërhyrje që po kryhen në këtë aks deri në përfundimin e plotë të këtij projekti”-njofton ARrSh.