Vendosni fjalën kyçe....

Avokati i kryebashkiakut nuk merr pjesë, shtyhet gjyqi mes Erion Veliajt dhe Lulzim Bashës


Është shtyrë sërish procesi gjyqësor në Gjykatën e Posaçme për kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliajn, i cili është akuzuar për shpifje nga kryedemokrati Lulzim Basha.

Mësohet se seanca e sotme është shtyrë për shkak të mungesës së avokatëve mbrojtës të Veliajt.

Lidhur me këtë, ka folur për mediat përfaqësuesi ligjor i Lulzim Bashës, Indrit Sefa.

Ai tha se një nga avokatët e Veliajt, kishte paraqitur në gjykatë një shkresë, ku vërtetohet se është i sëmurë.

“I akuzuari kishte marrë dijeni për procesin gjyqësor. Avokatët kishin bërë kërkesë për shtyerje për arsyeje mjekësore, sepse ishte i sëmurë avokati mbrojtës.

Kemi kaluar në seancë gjyqësore dhe sot seanca nuk u zhvillua për arsye të mos ardhjes së avokatëve dhe do të kemi datë tjetër. Ne kërkojmë dënimin e Erion Veliajt sepse ai ka bërë deklarata që nuk janë të sakta. Ai duhet të paraqesë prova se ku i ka mbështetur deklarimet dhe nëse nuk paraqet prova, më pas do të jetë vendimmarrja e gjykatës. Erion Veliaj nuk ka dhënë asnjë argument dhe ka vendosur të mos paraqitet. Ndërkohë data tjetër është caktuar në datë 11 tetor, në orën 13:00.”- deklaroi Sefa.

Kujtojmë se në tetor të 2020-s, kryedemokrati Lulzim Basha ka akuzuar për “shpifje” kreun e Bashkisë, Erion Veliaj.

Basha i ka konsideruar si shpifje akuzat e Veliajt se kryedemokrati është bërë me katër shtëpi pas tërmetit të 26 nëntorit.

Sipas deklaratave të Veliajt, Basha ka përfituar gjatë periudhës së fatkeqësisë së tërmetit dhe ka ndërtuar pa leje.