Beteja për Sinecin këtë radhë e zhvilluar në Gjykatën Administrative të Shkallës së parë në Vlorë duket se po shkon në favor të banorëve të fshatit Lumas.
Përballë Bashkisë Kuçovë dhe Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, palët janë njohur me akt ekspertimin e inxhinierëve lidhur me pretendimet e tyre.
Të kontraktuara nga Gjykata Administrative Vlorë, dy inxhinieret: Silva Meçaj dhe Liljana Vllamasi, pasi kanë kryer inspektimet në zonë 3 javë më parë, kanë dorëzuar pranë kësaj gjykate akt-ekspertimin teknik, që konfirmon akuzat për muaj me radhë të banorëve të fshatit Lumas.
Akt-ekspertimi teknik hedh poshtë të gjitha pretendimet e bashkisë Kuçovë në lidhje me nevojat për ujë të pijshëm të fshatrave të Lumasit, pasi konfirmon edhe një herë atë që është thënë me forcë nga banorët e Lumasit, se fshatrat furnizohen me ujë nga 4 ujësjellësa.
Po kështu, ky akt-ekspertim konfirmon edhe një herë se të gjitha ndërtimet e kryera por edhe ato të parashikuara në projekt prekin Zonën Buferike dhe atë të mbrojtur të Kanionit të Sinecit.
Sipas akt-ekspertimit teknik, të katërta objektet që po ndërtohen nga firma Salillari janë brenda Poligonit Monument Kulture (Kanioni i Sinecit) dhe brenda Zonës Buferike të Kanionit të Sinecit.
Në akt-ekspertimin teknik përcaktohet se,edhe bazamenti ku do të shtrihet tubacioni i ujësjellësit në ndërtim ka prekur Zonën Buferike dhe Kanionin e Sinecit (zonë e mbrojtur). Edhe pretendimet e bashkisë Kuçovë se fshatrat e Lumasit kanë mungesë uji të pijshëm, kanë marrë përgjigje në këtë akt-ekpertim teknik.
Pas inspektimit të kryer në çdo fshat për identifikimin e burimeve të furnizimit me ujë,inxhinieret Meçaj e Vllamasi,kanë dalë me konkluzionin se fshatrat: Lumas, Pëllumbas, Bardhaj, Shegjëz e Vodëz kanë rrjete dhe burime publike (puse nëntokësore) të furnizimit me ujë dhe vetëm dy fshtrat Krekëz e Koritës, me 14 familje në total nuk kanë furnizim publik me ujë të pijshëm.
Akt-Ekspertimi Teknik konkludon se,fshati Lumas garanton furnizimin me ujë për fshatrat Lumas Qendër dhe Lumas 1 nëpërmjet rrjetit publik (dy puseve buzë lumit) dhe nëpërmjet ujësjellësit që mer ujë nga burimi i Sinecit; fshati Pëllumbas furnizohet nga rrjeti publik,me burim furnizimi një pus të çpuar pranë lumit që përshkon fshatin dhe uji pompohet në rezervuarin që ndodhet në Pëllumbasin e sipërm; fshati Bardhaj furnizohet nga rrjeti publik dhe burimi i furnizimit është një pus i çpuar pranë lumit dhe uji pompohet për në rezervuarin që ndodhet në pjesën e sipërme të fshatit dhe fshati Vodëz furnizohet nga një pus-çpim pranë lumit që përshkon fshatin dhe uji pompohet në rezervuarin që ndodhet në pjesën e sipërme të fshatit Vodëz.
Pas dorëzimit të këtij akt-ekspertimi,pritet vendimi nga Gjykata Administrative Vlorë në 1 Tetor. Në çështjen civile me nr.akti 1201,të depozituar në 6 Korrik 2021, banorët e Lumasit kanë paditur bashkinë e Kuçovës për “dhënie të paligjshme të lejes së ndërtimit në zonën e mbrojtur të Sinecit”, ndërkohë që e paditur si palë e tretë është edhe Ministria e Turizmit dhe Mjedisit.