Vendosni fjalën kyçe....

Destinacione të reja, investime dhe çmime të lira për biletat – Oferta e re e aeroportit “Nënë Tereza”


Aeroporti Nënë Tereza shënoi gjatë kësaj vere një rritje me të paktën 20% të numrit të pasagjerëve në muajt korrik gusht dhe shtator, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019, kohë kur ende nuk kishte nisur pandemia. Dhe kjo nuk ka ndodhur krejt rastësisht. Një nga arsyet kryesore ka qenë ulja e çmimit të biletave dhe futja e fluturimeve low cost në destinacione të ndryshme.

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës sqaron se trafiku i sezonit veror i ka tejkaluar vërtetë të gjitha pritshmëritë. TIA sipas tij po ecën shumë më mirë se çdo aeroport tjetër Europian. Çmimi i biletave pa dyshim ka qenë çmimi i biletave pasi më parë qytetarët e kishin të vështirë ta përballonin të udhëtuarit me avion.

Për këtë arsye thotë Constantin Von Alvensleben, Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv i Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, “segmenti low cost është shumë i rëndësishëm dhe Wizz Air është një histori suksesi që ka sjellë bazën e gjashtë në TIA”. Wizz Air ofron çmime më të ulëta por nuk është i vetmi. Tashmë nga Rinasi fluturojnë dhe kompani të tjera low cost si për shembull Easy Jet, Flynas nga Arabia Saudite. Të gjitha së bashku kanë ndihmuar shumë në uljen e çmimeve të biletave dhe rritjen e trafikut të pasagjerëve.

E gjithë kjo situatë pritet të pasohet dhe me investimet e reja në aeroport, gjë që parashikon dhe nisjen së shpejti të punimeve për pistën e re. Një investim që kap vlerën e 100 milionë eurove dhe që synon të rrisë shumë shpejt, jo vetëm kapacitetet e përpunimit të udhëtarëve, por edhe hapësirat dhe vendet e parkimit në pistë, duke mundësuar kështu uljen e më shumë avionëve e madje edhe të atyre me përmasa më të mëdha.

Ndërsa për udhëtarët nga Shqipëria, kompania e fluturimeve low cost ka sërish lajme të mira. Aktualisht Wizz air fluturon nga Shqipëria në 29 destinacione jo vetëm europiane, ndërkohë që në dhjetor pritet të nisin fluturimet edhe për 3 destinacione të reja. Duke e çuar këtë numër në 32.  Por një gjë nuk duhet harruar.

Një çmim më i ulët nuk do të thotë aspak tolerancë në cilësi. Për më tepër, pozitiv është fakti që rritja e investimeve në aeroport dhe shtimi i numrit të fluturimeve do të rrisë dhe kërkesën për punësime të reja. Ndërsa TIA bëhet gati për investimet e reja, përfaqësuesit e WIZZ Air, thonë se me rritjen e kapaciteteve të tyre, ata do të kenë nevojë për të punësuar më shumë se 140 persona.