Këtë mëngjes dhjetëra familje të lagjes Belebe në periferi te qytetit të Elbasanit janë ngritur në protesta, pas bllokimit të hyrjes së rrugës në Unazën Jugore në drejtim të zonës ku ata jetojnë prej 30 vitesh.
Banorët shprehen se askush nga autoritetet nuk i kishte paralajmëruar ata për bllokimin e hyrjes së rrugës kryesore që e lidh lagjen e tyre me rrugën kombëtare dhe qendrën e qytetit.
“Nuk dimë se kush ka urdhëruar dhe as se kush e ka bllokuar hyrjen e rrugës e cila është e vetmja që ekziston për qarkullimin me automjete në këtë lagje.”- thanë protestuesit, sipas “Balkanweb”.
Protestuesit kanë shkatërruar barrierat e vendosura në hyrje të rrugës që të çon në lagjen e tyre.
Ndërkohë ka ndërhyrë policia e Elbasanit, për të shpërndarë protestuesit. Shefi i Policisë së Rendit Armand Muça paralajmëroi banorët që të mos bllokojnë qarkullimin në Unazën Jugore, duke i paralajmëruar: “Do procedoheni penalisht për protestë të paligjshme.”