Vendosni fjalën kyçe....

Rihapet dosja “Gërdeci”, Apeli i GJKKO-së kërkon rigjykim për ish-ministrin Fatmir Mediu


Apeli i Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur këtë të premte rihapjen e hetimeve ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu, lidhur me çështjen “Gërdeci”.

“Me referimin në parashikimin e pikës 1, shkronja b), të nenit 46, të ligjit 98/2016 ‘Për Organizimin e Pushtetit Gjyqësor në Republikën e Shqipërisë’ si dhe, në interesin e treguar nga media, komunikohet në mënyrë të përmbledhur se, sot më datë 24.09.2021, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, mbi ankimin e Prokurorit të Posaçëm dhe të trashëgimtarëve të viktimës E.D., u zhvillua seanca gjyqësore në dhomë këshillimi, për çështjen penale nr. 212 akti, datë 03.09.2021 regjistrimi, ku Gjykata vendosi, të ndryshojë vendimin nr. 60, datë 27.07.2021 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke pranuar kërkesën e Prokurorit të Posaçëm dhe revokoi vendimin e pushimit nr. 6, datë 14.09.2009 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, duke i kthyer aktet Prokurorit të Posaçëm për të proceduar.”- thuhet në vendimin e GJKKO-së.

Vendimi për Mediun është marrë në dhomën e Këshillimit, ndërkohë që rihapja e hetimeve u kërkua nga familjarët e viktimave.

SPAK-u kërkoi rigjykimin e dosjes ndaj ish-ministrit Fatmir Mediu, i cili akuzohet si një nga ish zyrtarët përgjegjës për tragjedinë e Gërdecit që shkaktoi 26 viktima dhe qindra të plagosur. Kjo pas vendimit të Gjykatës së Lartë e cila shpalli moskompetencë për të çelur procesin për dosjen.