Vendosni fjalën kyçe....

Rihapja e dosjes “Gërdeci”, avokati i Fatmir Mediut: Hera e parë që një gjyqtare e nivelit më të ulët prish vendimin e Gjykatës së Lartë


Përfaqësuesi ligjor i ish-ministrit Fatmir Mediut, Ardian Visha ka reaguar pas vendimit të Apelit të GJKKO për të rihapur dosjen “Gërdeci”. Në një deklaratë për mediet, Visha e ka cilësuar një antikushtetues vendimin e gjykatës.

Në cilësinë e përfaqësuesit ligjor të z Fatmir Mediu shpreh sa më poshtë:

Vendimi i deklaruar në media nga Gjyqtarja e Apelit të Posacëm, përbën një akt jo Kushtetues dhe pluri-shkelës të Konventës Europiane Për të Drejtat e Njeriut dhe një sërë ligjesh të tjera të vendit..

Ai (vendimi) përbën një pavlefshmëri absolute e në çdo rast baza motivuese e tij nuk mund të jetë kurrë ligji.

Është hera e parë në jurisprudencë kur një gjyqtare e një gjykate të nivelit më të ulët prish vendimin e Gjykatës së Lartë!

Veç të tjerave shkelja e ligjit është e dukshme, sepse e njëjta cështje(kërkesë) është shqyrtuar dhe hedhur poshtë nga gjykata e shkallës parë dhe gjykata e apelit, Tiranë në vitin 2019.

Ky vendim hapur cenon parimin e sigurisë juridike, parimin e gjësë së gjykuar, parimin e ligjit favorizues dhe për më tepër synon procedimin për një akuzë afati parashkrues i së cilës ka kaluar me kohë.

Pasi të njihemi me ‘arsyetimin’ e këtij akti të paligjshëm, do reagojmë me transparencë e më të gjitha mjetet ligjore të përshtatshme.” – deklaroi avokati Ardian Visha.