Vendosni fjalën kyçe....

Basha: Shqipëria të ndërhyjë si vend i NATO-s për zgjidhjen e gjendjes së rëndë në veri të Kosovës


Kreu i PD-së i ka bërë thirrje qeverisë që të përdorë mekanizmat diplomatikë për të ndihmuar në zgjidhjen e situatës në veri të Kosovës.

Ai mbështet vendimin e qeverisë së Kosovës për reciprocitetin e targave me Serbinë duke dënuar aktet kriminale të ndodhura në veri të Kosovës, të frymëzuara nga presidenti i Serbisë, Vuçiç.

“Po ndjek me shqetësim situatën e krijuar në veri të Kosovës, pas vendimit të drejtë dhe legjitim të qeverisë për vendosjen e reciprocitetit. Aktet kriminale të ndodhura në 24 orët e fundit të frymëzuara nga Beogradi zyrtar, synojnë destabilizimin e Kosovës dhe krejt rajonit për interesat politike të Aleksandër Vuçiç. Shpreh mbështetjen e plotë dhe të fuqishme për qeverinë e Kosovës, institucionet e saj dhe të gjithë faktorin politik të angazhuar në përballimin e kësaj situate. Detyra e Shqipërisë, edhe si vend anëtar i NATO-s, nuk është të heshtë por të përdorë të gjithë mekanizmat e saj diplomatikë për të ndihmuar në zgjidhjen e kësaj situate. Nuk mund të tolerohen tanket dhe avionët ushtarakë që mësyjnë kufijtë e Kosovës, duke kërcënuar paqen dhe sigurinë e të gjithë rajonit”, deklaron Basha.