Vendosni fjalën kyçe....

Bushati: Moskandidimi im në zgjedhjet e 25 prillit ishte i padrejtë


Ish-ministri i Jashtëm, Bushati, ka kritikuar kryeministrin Rama që nuk e kandidoi në zgjedhjet e 25 prillit 2021. Ai tha se partitë nuk janë prona private të askujt.

Ai e bëri deklaratën në emisionin ‘Kjo Javë’ në News24 ku shtoi se marrëdhëniet personale nuk janë të rëndësishme për opinionin publik por produkti politik i gjithë secilit dhe ndihma e tij duke qenë se partitë janë të mira publike e në shërbim të këtij të fundit.

“Besoj se marrëdhëniet personale, raportet, ulje-ngritjet e marrëdhënieve personale nuk janë të rëndësishme për opinionin publik, sepse bëhen objekt telenovelash e bisedash nëpër kafene, sesa të sjellin diçka konkrete. E rëndësishme është që në një parti politike të ketë rregulla, sa i përket bashkëjetesës demokratike, qoftë edhe ku anëtarë të ndryshëm të forcës politike mund të kenë pikëpamje të ndryshme apo pikëpamje alternative për mënyrën se si mund të jetë më efektive dhe më e suksesshme forca politike. Është e rëndësishme që partitë të jenë organizma të gjalla, sepse nuk janë prona private, por janë të mira publike dhe kanë një raport shumë të rëndësishëm me shoqërinë. Jam i vendosur për të mos ushqyer asnjë telenovelë apo bisedë kafeneje. Janë çështje që nuk kanë interes publiku. Publiku ka interes për të ditur kontributin, pikëpamjet që unë kam apo aktivitetin politik që unë zhvilloj. Sa i përket çështjes së kandidimit, e kam thënë që ka qenë një vendim i padrejtë në gjykimin tim, por kjo nuk më bën të heq dorë nga angazhimi im për PS dhe me PS.” – tha Bushati.