Janë bërë gjashtë ditë që kur serbët kanë bllokuar rrugën për në disa pika kufitare në veri të Kosovës, si shenjë revolte për kundërshtimin e vendosjes së reciprocitetit me targat e veturave.
Dhe sot në ditën e gjashtë, dy pikat kufitare Kosovë-Serbi në veri, vijojnë të qëndrojnë të bllokuara.
Policia e Kosovës po vazhdon të qëndrojë në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak për të mbikëqyrur situatën.
Ditën e premte gjatë ndërrimit të pjesëtarëve të Njësisë Speciale, serbët që po protestojnë aty kanë provokuar Policinë me muzikë dhe thirrje nacionaliste serbe.
Megjithatë, që nga fillimi i protestës së tyre, ende nuk është shënuar ndonjë incident domethënës.
Kujtojmë se të hënën e 20 shtatorit, autoritetet e Kosovës nisën t’iu vënë targa të përkohshme makinave me targa të Serbisë, që hyjnë në Kosovë, kjo me argumentin se të njëjtën gjë Serbia po e bën prej vitesh.