Vendosni fjalën kyçe....

Gjekmarkaj: Mesazhet e Kim mbresëlënëse për PD-në, Edi Rama do çmontohet si Nikola Gruevski


Deputeti i PD-së, Gjekmarkaj, ka thënë se SHBA-ja ka ripohuar mbështetjen e saj të fuqishme për selinë blu dhe vendimet e kreut të saj, Basha.

Në një status në Facebook ai shkruan se PD-ja, trupa e saj drejtuese e anëtarësia duhet të përballen me të vetmen të vërtetë të hidhur. Ai thekson se nuk ka pasur asnjë shteg tjetër nga ku mund të kalonte Basha lidhur me vendimin për përjashtimin e Sali Berishës nga grupi parlamentar.

“Mesazhi i Ambasadores Kim dhe nevoja për të parë të vërteten në sy! Dje e sapo kthyer nga Uashingtoni Ambasadorja Juri Kim trokiti në derën e Lulzim Bashes. Mesazhet e saj ishin të forta, të pazakonta , mbresëlënëse dhe shpresëdhënëse për PD e cila po kalon ditë të vështira dhe emocionale. SHBA nëpërmjet zërit të Zonjës Kim deklaruan mbështetje për PD dhe vendimet e Bashes madje dhe gatishmëri për të festuar fitoren e PD në zgjedhje. PD, trupa drejtuese e kryesisht anëtarësia e saj duhet të përballen me të vërteten e cila është e dhimbshme por dhe e vetme! Nuk ka dy të vërteta për një çështje. Nuk kishte një tjetër shteg nga ku mund të kalonte PD dhe Kryetari i saj. Ambasada e SHBA ktheu mbrapsht çdo aludim për dëmtim të demokracisë në PD me ndërhyrjet e saj duke e konsideruar atë fyes.” – shkruan Gjekmarkaj.

Ky i fundit shton më tej se sot PD i ëshë kthyer fuqishëm aleancës historike e strategjike me SHBA, gjë që do jetë jetike sipas tij, për kthimin e demokracisë në vend e për çmontimin e kapjen e shtetit në çdo qelizë nga pushteti mafioz i kryeministrit Rama.

Ai sjell si shembull rrëzimin nga pushteti të ish-kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Nikola Gruevski.

“PD sot i është rikthyer fuqishëm aleancës historike e strategjike me SHBA jetike kjo për cilësinë e demokracisë në këtë parti dhe në vend, por mbi të gjitha jetike për të çmontuar kapjen e shtetit në çdo qelizë nga pushteti mafioz i Edi Rames. Deklaratat e mbështetjes totale që PD mori dje nga Yuri Kim janë lajmi më i keq për Edi Ramen dhe urdinë e tij që i shkon nga pas në këto tetë vjet. Ne e dimë si u çmontua neodiktatura e Gruevskit në mandatin e saj të tretë me mbështetjen e ndërkombëtareve, të cilët i lëshuan në dorë dhjetëra “bomba” Zoran Zaevit me të cilat e shkërmoqi çdo tullë autoritarizmi që dukej aq solid nga jashtë. Mos harroni që Edi Rama bëri masaker zgjedhore ! Mos harroni që 85 mijë vota dolën të pavlefshme dhe pos kësaj diferenca e tij në vota me Opozitën është vetëm 37 mijë. Ky është një pushtet ilegjitim i cili i ka rrënjët në kënetën e krimit dhe të trafikut. Mos mendoni që demokracitë perendimore e tolerojnë pafund korruptimin e demokracisë në vendin tonë anëtar i NATO-s.” – vijon Gjekmarkaj.

Deputeti demokrat thekson se gjendja në PD ka ardhur pas vendimit nga SHBA-ja ndaj Berishës e askush nuk e negocion dot këtë gjë.

Ai ironizon qëndrimet e kundërshtarëve të Bashës ndërsa e mbyll reagimin duke shkruar se PD do e kalojë traumën dhe në sintoni me SHBA-bë do i japin vendit ndryshimin.

“Gjëndja e krijuar në PD është pasojë e vendimit të marrë nga SHBA dhe spostimi i fokusit mbi probleme të tjera është artific që nuk i përgjigjet realitetit! Çdo lëvizje sado e mbeshtjellë me zhargon tjetër në thelb ofron konflikt me SHBA-të. Shumë prej atyre që po kritikojnë Bashen të cilët kanë patur karriere të gjatë më shumë seç duhet në PD, për zgjedhjen e tij të kushtëzuar dikur himnizonin çdo qëndrim a deklaratë të Ambasadës në funksion të raportit antagonist që kishin me Bashen. Sot e injorojnë si realitet a thua se nuk ka ndodhur apo nuk ekziston qëndrimi i tyre! Në çdo debat nuk e zënë me gojë vendimin amerikan dhe cila ishte zgjidhje për të ndërsa gjykojnë vendimin e Bashes duke u kapur tek forma dhe jo thelbi. Mblidhen e flasin duke mos zënë me gojë vendimin ultimativ të SHBA për Sali Berishen të cilin nuk ka kellqe askush ta komentojë. Sido që na është dukur i gabuar dhe i padrejtë ai është vendimi i tyre të cilin ne nuk e negociojnë dot! Ai mund të refuzohet vetëm me koston e shndërrimit të PD në një parti antiamerikanë! Çdo forme tjetër është hipokrizi dhe benzinë në zemërimin e Sali Berishes. Personalisht persa me takon i jam bashkuar vonë formalisht PD paçka se prej vitesh kam mbështetur kauzat e saj opozitare dhe të së djathtës në përgjithësi, por do preferoja ta shihja përsëri veten jashtë saj nëse ajo perceptohet si antiamerikane nga vetë SHBA-të, sepse nuk mjafton ajo çka mendojmë ne për veten. Ky nuk është nënshtrim as servilizem por interes madhor i PD dhe vendit tonë në optiken time. Përtej kësaj ndjesie jam i bindur që shumë shpejt PD do të kalojë këtë traumë dhe në sintoni me aleatet strategjikë SHBA në krye do ti japë këtij vendi ndryshimin duke e çliruar nga tirania e zgjedhjeve të vjedhura , banaliteti i korrupsionit dhe mecenati i krimit!” – mbyll reagimin Gjekmarkaj.