Vendosni fjalën kyçe....

Gjermania thotë se Rusia po përmbush detyrimet e saj të furnizimit me gaz: S’ka presion për Nord Stream 2


Rusia është plotësisht në përputhje me detyrimet e saj të furnizimit me gaz në Evropë, tha zëdhënësja e ministrisë Gjermane të Energjisë, Suzanne Ungrad, duke hedhur poshtë pretendimet se Moska po i bën presion BE-së për të përshpejtuar funksionimin e Nord Stream 2.

“Sipas informacioneve tona, Rusia po përmbush marrëveshjet ekzistuese të furnizimit. Ne nuk dimë për shpërfilljen e qëllimshme të kontratave ekzistuese,” tha Ungrad, siç citohet nga RIA Novosti.

Ajo theksoi se departamenti po monitoron situatën me çmimet e gazit, por beson se tregu duhet të përgjigjet.

“Ne nuk e shohim nevojën që shteti të ndërhyjë,” tha Ungrad, duke vënë në dukje se shumë faktorë ndikojnë në çmimet e gazit, duke përfshirë ‘dimrin e vështirë, ndryshimet ekonomike, rritjen e kërkesës për gaz, situatën në Azi, zjarret në Siberi’.

Për më tepër, zv.përfaqësuesja zyrtare e Kabinetit të Ministrave Gjermanë, Ulrike Demmere, deklaroi gjithashtu se gjiganti shtetëror energjetik rus Gazprom ‘po përmbush detyrimet e tij sipas marrëveshjes aktuale ruso-ukrainase të tranzitit të gazit’.

Një numër i politikanëve dhe analistëve kanë akuzuar Moskën dhe ‘Gazprom’ për presion të qëllimshëm të tregut në mënyrë që të shpejtojnë vënien në punë të gazsjellësit rus Nord Stream 2. Punimet e ndërtimit në tubacionin që kalon nga Rusia në Gjermani përmes Detit Baltik përfunduan muajin e kaluar. Sidoqoftë, për të filluar shpërndarjen e gazit, projekti duhet të marrë certifikimin evropian, i cili mund të zgjasë deri në katër muaj të tjerë.

Javën e kaluar, çmimet evropiane të gazit u rritën në 964 dollarë për 1.000 metra kub, çmim rekord.