Vendosni fjalën kyçe....

Taulant Balla qetëson PS-në e Fierit, bashkë me Subashin dhe Koçin nisin “fushatën” organizative


Kreu i grupit parlamentar tëPS-së, Taulant Balla, ka ‘qetësuar’ Partinë Socialiste të Fierit.

Ai është shfaqur bashkë me kryebashkiakun e Fierit, Armando Subashi e Petro Koçin, të cilët kanë pasur jo pak fërkime kohët e fundit me akuza e kundërakuza, duke njoftuar nisjen e fushatës organizative.

Balla shkruan në Facebook se PS-ja e Fierit ka strukturë organizative të mirë e që do vijojë të përmirësohet edhe më tej.

Ai thekson se fushata organizative do e ndihmojë PS-në për të fituar zgjedhjet vendore të vitit 2023 e ato parlamentare të vitit 2025.

“Zhvilluam gjatë tre ditëve, takime në njësitë administrative Cakran, Frakull, Levan, Portëz, Libofshë, Mbrostar, Qendër, Dërmenas, Topojë dhe në katër rajonet e qytetit Fier, ku Partia Socialiste ka marrë rezultate pozitive elektorale gjithmonë. Ne rikonfirmuam 74 mandate më 25 Prill, nga të cilat 9 në qarkun Fier, edhe pse populli shqiptar na besoi të paktën 78 mandate, nëse nuk do të ishte numri i papritur i fletëve të pavlefshme të atyre që kishin në zemër PS12, por gabuan me shenjën e preferencës së kandidatëve. Partia Socialiste ka në Fier një strukturë organizative tepër të mirë, por që do të vazhdojë të përmirësohet në të gjitha nivelet, duke e paraprirë nga një analizë e imtësishme e rezultatit të zgjedhjeve në cdo QV. Besoj se të gjithë kemi mësuar nga gabimet e së shkuarës, kur lënia në harresë e strukturës së partisë, nuk na ka dhënë rezultatin e duhur në përballjen elektorale të radhës. Ne sot jemi në kohën e duhur për të realizuar një analizë të thellë dhe objektive të rezultatit në cdo qendër votimi, pra në cdo organizatë socialiste. Nga kjo analizë dhe ripërtëritje e fuqisë sonë organizative ne duhet të bëhemi tërësisht gati për fitoren e zgjedhjeve vendore të vitit 2023, dhe ato parlamentare në vitin 2025, për mandatin tonë të katërt qeverisës.” – shkruan Balla në Facebook.