Vendosni fjalën kyçe....

Zbardhen porositë e Bashës për deputetët demokratë: Zbrisni në zonat tuaja dhe bëni publike shqetësimet e tyre


Në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së që ka përfunduar pak më herët, mësohet se Lulzim Basha u ka dhënë disa porosi deputetëve të tij.

Fillimisht ai u ka kërkuar që të takohen me qytetarët për shqetësimet e tyre si dhe të marrin informacion pranë prokurorive për ecurinë e hetimeve për masakrën zgjedhore të 25 prillit.

“Bëhuni zëri i problemeve të qytetarëve. Zbrisni në zonat tuaja dhe bëni publike shqetësimet e tyre. Rritja e çmimeve është skandaloze në kushtet e një varfërie që ka përfshirë shumicën dërrmuese të qytetarëve. Merrni informacion pranë prokurorive për ecurinë e hetimeve për masakrën zgjedhore të 25 prillit.

Duhet bërë transparencë e procesit hetimor që po zvarritet me urdhra politik dhe ndjekur në çdo hallkë të gjyqsorit dhe jo vetëm”- ka thënë kryedemokrati Basha.

Po ashtu, gjatë fjalës së tij Basha ka bërë me dije ngritjen e grupit të punës në PD për të hartuar draftin ligjor për të adresuar problemet e abuzimit me zgjedhjet dhe shitblerjen e votave.

“Së shpejti do të ngrihet grupi i punës në PD për të hartuar draftin ligjor. Duhet të bëjmë gati mekanizmat që të adresojmë problemet e abuzimit me zgjedhjet dhe shitblerjen e votës, si dhe reformë zgjedhore dhe instrumente zbatimi që mundësojnë rregulla të barabarta zgjedhore për të gjitha subjektet duke u bazuar në praktikat e mira europiane.

 S’mund të pretendohet për drejtesi të pavarur përsa kohë nuk ndëshkon dhunuesit e procesit zgjedhor. Ne duhet të bëjmë gjithçka për të ndarë politikën nga krimi me iniciativa ligjore e qytetare dhe denoncuar aferat e përditshme korruptive të qeverisë më të korruptuar të Europës e ndër më të korruptuarat në botë. Nisni konsultimet me qytetarët në zonat tuaja për reformën teritoriale.”- janë fjalët e kryedemokratit në këtë mbledhje.