Vendosni fjalën kyçe....

Policia e Kosovës deklaratë: Po zbatojmë reciprocitetin e targave me Serbinë


Policia e Kosovës ka thënë se vendimi i qeverisë për pagesën e targave të përkohshme të mjeteve që vijnë nga Serbia po zbatohet pa ndonjë vështirësi.

Nëpërmjet një deklarate për shtyp, policia ka shpërndarë disa fotografi ku tregohen punonjësit doganorë duke larguar targat e Serbisë dhe duke i vendosur targat e përkohshme të Kosovës, shkruan Gazeta Express.

“Policia e Kosovës bazuar në detyrat dhe autorizimet e saj është duke vazhduar ndërmarrjen e veprimeve policore në nivel vendi, me qëllim të zbatimit të marrëveshjes për lëvizjen e lirë konkretisht targave të automjeteve. Vendimi i institucioneve të RKS-së, po zbatohet duke iu mundësuar qytetarëve pajisjen me targa dhe mundësimin e qarkullimit tyre pa vështirësi.” – thuhet në deklaratën e policisë.

Të bllokuara ende nga protestuesit serbë mbeten rrugët që të çojnë në pikat kufitare të Jarinjës e Bërnjakut.

Serbët e Kosovës kundërshtojnë vendimin e qeverisë së Albin Kurtit për reciprocitetin e targave, vendim që ka hyrë në fuqi të hënën e shkuar pas skadimit të marrëveshjes së 15 shtatorit 2014 mes dy vendeve.