Policia e Gjirokastrës ka arrestuar një 59-vjeçar, pasi është kapur duke transportuar emigrantë të paligjshëm kundrejt fitimit.
Nga shërbimet e Qarkullimit Rrugor në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Trafiqet e Paligjshme në DVP Gjirokastër, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit N. V., 59 vjeç, banues në Durrës.
Shtetasi N. V., u kap në aksin rrugor Kakavije-Gjirokastër, duke transportuar me automjetin tip “Volkswagen”, 4 emigrantë të paligjshëm nga vendet e treta, në drejtim të Tiranës, kundrejt fitimit 300 euro për person.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një automjet, një aparat celular dhe 500 euro.
Materialet në ngarkim të shtetasit të mësipërm i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.