Presidenti kinez Xi Jinping u ka bërë thirrje vendeve në mbarë botën që të ndjekin hapjen në bashkëpunimin shkencor dhe teknologjik global, duke premtuar se edhe Kina, do të përfshihet për qëllimin e përbashkët të ‘paqes dhe zhvillimit njerëzor’.
Xi i bëri vërejtjet ndërsa iu drejtua ceremonisë së hapjes së Forumit Zhongguancun. Forumi i këtij viti, me temë ‘Inteligjenca, Shëndeti dhe Neutraliteti i Karbonit’ po zhvillohet nga 24 në 28 Shtator.
Me pandeminë e koronavirusit të ri që vazhdon ende në të gjithë globin dhe ndryshimet klimatike që po shtyhen në plan të parë të agjendave kombëtare, presidenti i kërkoi botës të hapet në fushat e shkencës dhe teknologjisë, duke forcuar bashkëpunimin në ndjekjen e qëllimeve të përbashkëta.
“Është më e domosdoshme se kurrë që të gjitha vendet të rrisin hapjen dhe bashkëpunimin e teknologjisë shkencore dhe të eksplorojnë qasjet dhe mjetet për të trajtuar çështjet kryesore globale përmes përpjekjeve të bashkërenduara në inovacionin e teknologjisë shkencore,” tha presidenti i Kinës, Xi Jinping.
Të gjitha vendet duhet të qëndrojnë solidare për t’u përballur me sfidat e përbashkëta të kohës, dhe së bashku të shtyjnë përpara kauzën e lartë të paqes dhe zhvillimit njerëzor.
Xi shtoi se Kina do të vazhdojë përpjekjet e saj për të ‘forcuar shkëmbimet ndërkombëtare të teknologjisë shkencore me një qëndrim më të hapur’.
“Ne do të promovojmë komercializimin e rezultateve të kërkimit, do të kultivojmë një shtysë të re për zhvillimin ekonomik, do të rrisim mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale, do të krijojmë një ekosistem inovacioni të klasit të parë dhe do të nxisim konceptin e shkencës dhe teknologjisë për mirë ‘në mënyrë që t’i shërbejë qëllimit përfundimtar të përmirësimit të qeverisjes globale të teknologjisë shkencore dhe përmirësimit të mirëqenies së njerëzimit, “ tha presidenti.