Kryeministri i Shqipërisë përsëriti gjatë konferencës për shtyp në Prishtinë me kryeministrin e Kosovës Kurti se nisma e Ballkanit të Hapur është rruga e përbashkët që duhet ndjekur.
Sipas tij, ngjarjet e fundit në kufirin mes Kosovës e Serbisë ia kanë shtuar edhe më shumë bindjen për këtë.
Ai theksoi se ka një mosdakordësi politike për çështjen në fjalë me Kurtin por u shpreh i bindur se nuk do jetë e largët dita kur i gjithë Ballkani do jetë pjesë e BE-së dhe se Serbia do e pranojë pavarësinë e Kosovës dhe do kërkojë ndjesë për krimet e luftës.
“BE-ja të sillet si forcë e vetme dhe të mbajë fjalën e vet. Sepse për hallet e 27 vendeve të veçanta të BE-së, si Shqipërisë ashtu edhe Kosovës, i është mohuar ajo që i është premtuar. Sa herë iu premtua Kosovës liberalizimi i vizave. Megjithatë Shqipëria e Kosova nuk kanë asnjë rrugë tjetër veç reformave, përpjekjeve integruese. Ballkani i Hapur është rruga jonë e përbashkët, për të mirën tonë të përbashkët. Kemi një mosdakordësi në këtë pikë me Albinin po është mosdakordësi e natyrës politike. Është e pashmangshme që Serbia do e pranojë pavarësinë e Kosovës dhe kërkesa për falje e krimeve të paharrueshme në Kosovës do e vulosë këtë gjë. Do vijë edhe ajo ditë që Shqipëria, Kosova, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut do jenë pjesë e hapësirës europiane.” – tha kryeministri Rama.