Turqia dëshiron që ushtria amerikane e trupat e NATO-së të largohen edhe nga Siria e Iraku pas tërheqjes nga Afganistani.
Deklarata ka ardhur nga presidenti Erdogan, që iu përgjigj një pyetjeje nga CBS News. Ai përmendi me emër Sirinë dhe Irakun si dy vendet ku Uashingtoni duhet t’i japë fund pranisë së tij ushtarake sipas tij. Presidenti turk sugjeroi që një veprim i tillë do të promovonte paqen në rajon.
“Sigurisht, nëse kam zgjedhjen që do të bëja, do të doja që ata të largoheshin nga Siria dhe Iraku. Ashtu si ata janë tërhequr nga Afganistani. Sepse nëse do t’i shërbejmë paqes në të gjithë botën, nuk ka më kuptim të mbetemi në ato pjesë të botës. Ne thjesht mund t’i lëmë ata njerëz, t’i lëmë ato administrata të vendosin vetë.” – tha Erdogan.
Kur u pyet nga gazetari i CBS, nëse Erdogan e ngriti ndonjëherë çështjen e një tërheqjeje të mundshme nga Siria me presidentin amerikan Biden, presidenti turk tha se ai kurrë nuk e pyeti atë për këtë kur u takuan në Bruksel. Erdogan shtoi se ai dhe Biden u përqëndruan kryesisht te Afganistain në bisedat e tyre.