Vendosni fjalën kyçe....

Kurti takohet me komandantin e KFOR-it: Unë s’kam informacione nëse sot forcat e KFOR-it do të ndërhyjnë në veri


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur përsëri për situatën e krijuar në veri të vendit, duke zbuluar se sot është takuar me gjeneralin e KFOR-it.

Ai u shpreh se ka qenë në takim, bashkë me ministrin e Punëve të Brendshme. Kurti theksoi se pavarësisht raportimeve në medie se forcat e KFOR-it do të ndërhyjnë sot në veri, ai nuk ka informacione.

Po ashtu u shpreh se se ai nuk merr vendime pa vlerësimet që i vijnë nga Policia e Kosovës.

“Ne diskutuam me gjeneralin Federici, komandatin e përgjithshëm të KFOR-it për situatën e sigurisë. Meqenëse ne i kemi policët tanë atje dhe ata e bëjnë vlerësimin e situatës. Vendimet që ne i marrim nuk janë të pastra politike, madje përmbajtja e tyre është shumë profesionale e sigurisë. Unë si kryeministër i Republikës së Kosovës dhe ministri i Brendshëm nuk marrim vendime pa vlerësimet që na vinë nga Policia e Kosovës mbi rrethanat në të cilat ata ndodhen atje dhe ne shkëmbejmë informacionin me KFOR-in sepse jemi më shumë të pranishëm se edhe vetë KFOR-i. Unë nuk kam një informacion të tillë të përgatitjes së hyrjes së KFOR-it. Kam biseduar dje edhe me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Stoltenberg edhe me zv. Presidentin e Komisionit Evropian dhe përfaqësuesin për Politikë të Jashtme, zotin Borell.”- ka deklaruar Kurti.

Kryeministri i Kosovës ka shtuar se janë shprehur të hapur për bisedime me Serbinë në Bruksel, por që shteti serb nuk ka pranuar. E megjithatë ai shprehet se vijojnë të jenë të hapur për bisedime.