Në vizitën e tij në Prishtinë, kryeministri Edi Rama i ka akorduar akademikut Rexhep Qosja titullin “Kordoni i Madh i Yllit të Medaljes”.
Rama vlerësoi figurën atdhetare dhe letrare të Qoses duke thënë se është dëshmitar i dinastisë së historisë shqiptare.
Ndërsa i akordonte titullin, Rama kujtoi një kohë kur Qose e kritikoi me një artikull me titullin “Opozitë me duar në xhepa”. Kjo pasi Rama në kohën kur kishte qenë kryebashkiak i Tiranës kishte vizituar një kantier të një shkolle në Tiranë, por i mbante duart në xhepa.
Rama u shpreh se për shkak të asaj kritike, nuk i mban më duart në xhepa nëpër takime. Dhe nëse e bën, kujtohet menjëherë për kritikën e Qoses dhe i heq duart nga xhepat.
“Mbase sot është dita dhe të nxjerrë diçka shumë personale për të thënë se nga koha kur ishta në opozitë, sot nuk më kritikon që kam ardhur me duar në xhepa. E kam fjalën për njëherë kur gjatë inagurimit të një shkolle në Tiranë, por ishta dhe kryetar opozite, kamerat më zunë gafil me duar në xhepa dhe një vëzhgues i imtë më ka kritikuar me një artikull ‘opozitë me duart në xhepa’.
Nuk e fsheh dot. Dihet botërisht që kritikët e mi e dinë që nuk më bëjnë kritikë. Por mua le të më gjejnë një foto me duar në xhepa gjatë vizitave të mia në kantier. Besojeni ose jo, menjëherë më kujtohet Qosja me atë artikullin qortues dhe i heq direkt. Siç thotë profesori, njeriut i duhet t’i dhëmbë diku, vetëm budallenjve nuk i dhemb asgjë. E pra, që atëhere më dhembi, dhe kurrë më duart në xhepa.”- u shpreh Rama.