Vendosni fjalën kyçe....

Një i ri hedh vezë në drejtim të presidentit francez, Emmanuel Macron (VIDEO)


Presidenti francez Emmanuel Macron është vënë përsëri në shënjestër të protestuesve me vezë. Sikurse shkruan gazeta franceze “Le Figaro”, Macron ndodhej në Panairin Ndërkombëtar të Ushqimit dhe Mikpritjes në Lyon, kur në një moment një vezë u hodh në drejtim të tij.

Personi që hodhi vezën, një djalë i ri, u neutralizua nga shërbimi i sigurisë dhe ende nuk dihen arsyet e këtij gjesti.

Skena ishte e shkurtër. Në një video që është bërë virale menjëherë në rrjetet sociale, shohim një vezë që kërcen mbi supet e presidentit, pa u thyer.

“Nëse ai ka diçka për të më thënë, le të vijë.”- tha kreu i shtetit, duke kërkuar që protestuesi të dërgohej tek ai.

Kjo nuk është hera e parë që Emmanuel Macron vihet në shënjestër si tabelë për hedhjen e vezëve. Në vitin 2017, atij iu thye një vezë në kokë.