Vendosni fjalën kyçe....

Punimet tek pedonalja e Shkodrës, reagon Bashkia: Të ndalen punimet, s’ka leje


Pedonalja tek ura e Bunës brenda pak ditësh nuk do të ekzistojë më ashtu sikurse e njohim.

Sipas inxhinierit Pjerin Delia, pemët do të priten ndërsa e gjithë pedonalja do të mbushet me zhavor deri në lartësinë 2 metër për të vijuar ndërtimin e lotit të dytë të “By Pass-it” të Shkodrës. Ai shtoi se do të bëhet një pedonale tjetër siç ka qenë, por në një nivel më të lartë, me qëllim për të shmangur përmbytjet.

Mirëpo bashkia e Shkodrës ka reaguar në lidhje me këtë projekt, për të cilin banorë dhe ambientalistë janë shprehur kundër.

Në një njoftim për mediet, bashkia thotë se ka rënë dakord me Fondin Shqiptar të Zhvillimit që në pedonalen te ura e Bunës të bëhet përshtatja në gjurmë, gjeometri dhe altimetri e projektit, duke e kthyer në një segment urban dytësor në funksion të parkut të qytetit.

Bashkia i ka bërë thirrje subjektit ndërtues që të ndalojë punimet, duke thensuar se nuk ka leje ndërtimi dhe nuk është i autorizuar të vijojë nga askush, as nga institucione vendore e as nga institucione qendrore.

REAGIMI I BASHKISË

Bashkia Shkodër është dakordësuar me Fondin Shqiptar të Zhvillimit për propozimin për rishikimin e projektit të investimit “Ndërtim i By Pass Perëndimor Shkodër, Loti 2”, sipas konsultimit publik dhe kërkesës së qytetarëve të Shkodrës.

Në kërkesën e saj, të mbështetur edhe nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit,
• në kushtet e reja të krijuara ku ka humbur relevanca e funksioneve urbane dhe kontekstit ligjor të projektit “Ndërtim i By Pass Perëndimor Shkodër, Loti 2”,
• në vijim të shkresave dhe kërkesave të përsëritura të Bashkisë Shkodër,
është propozuar dhe është rënë dakord që:
• të bëhet përshtatja në gjurmë, gjeometri dhe altimetri e projektit, duke e kthyer në nje segment urban dytësor në funksion të parkut të qytetit.
Është propozuar që kjo pjesë të trajtohet në kuadër të rishikimit të projektit “Rikualifikimi Urban i Hyrjes së Qytetit të Shkodres dhe Parkut për Pushuesit” për t’u bërë pjesë inlegrale e këtij parku.
Bashkia Shkodër kërkon nga subjekti ndërtues që të ndalohen menjëherë punimet vijuese.
Për këto punime që po kryhen sot, subjekti nuk ka leje ndërtimi, dhe nuk është i autorizuar të vijojë nga askush, as nga institucione vendore e as nga institucione qendrore. Bashkia Shkodër do të ushtrojë të gjitha kompetencat e saj si administratore e territorit, duke marrë të gjitha masat e nevojshme sipas legjislacionit në fuqi.