Vendosni fjalën kyçe....

Rama në takim me studentë dhe profesorë në Prishtinë: Kabineti më këshilloi të mos vija para jush, por mua më pëlqen rreziku


Në vizitën e sotme në Kosovë, kryeministri Edi Rama po zhvillon një debat me studentë dhe profesorë të Universitetit të Prishtinës.

Rama tha se ftesa për të marrë pjesë në këtë debat me studentët, kishte ardhur vetëm 2-3 ditë para dhe nuk kishte patur shumë kohë për ta organizuar, por ai u kishte kërkuar kabinetit e tij që ky takim të bëhej i mundur. Ai tha se kabineti e ka paralajmëruar se është “me rrezik” të debatojë me studentët në Kosovë, por ai theksoi se është një njeri që e pëlqen rrezikun.

“Përshëndetje të gjithëve! Në fakt është ashtu sikundër u tha këtu, unë përpara se sa të niseshim, ndoshta 2-3 ditë nga sot, mora një email nga organizata, ia kalova kabinetit dhe u thashë: ‘Shikoni mundësinë që ta realizojmë këtë takim’.

Nuk jua fsheh se kishte shumë skepticizëm, dhe përgjithësisht këshilla ishte: ‘Po pse me shku me rreziku atje?!’. Por unë i kam qejf rreziqet, kështu që jam këtu.

Për të mos zgjat me fjalime hyrëse, sepse gjëja më e mirë që mund të bëjmë është të debatojmë dhe me sa unë di dhe me sa mundem, do mundohem t’ju përgjigjem pyetjeve tuaja. Faleminderit për fstesën dhe praninë tuaj këtu.

Është kënaqësi për mua sepse besoj se janë hapësira të rëndësishme komunikimi jashtë klisheve me të cilat ne jemi mësuar, të cilat na imponohen edhe për shkak të një lloj indiference le të themi tek më të rinjtë, për t’u përfshirë në debate që lidhen me politikën. Shumë bëjnë një gabim elementar kur thonë ‘nuk merrem me politikë’, ‘S’më intereson politika’, por merresh apo s’merresh ti, merret politika me ty.”- deklaroi Rama.