Vendosni fjalën kyçe....

Rexhep Qose këshilla Ramës e Kurtit pas marrjes së dekoratës: “Të njësojnë idealet!”


Pas dekoratës që i dha kryeministri Edi Rama, profesori Rexhep Qose u shpreh se ndjehej shumë mirë dhe shumë i privilegjuar, ndërsa ka mbajtur një fjalim të gjatë ku ka dhënë disa mesazhe për politikën në Shqipëri dhe në Kosovë.

Me dy kryeministrat Edi Rama dhe Albin Kurti që i kishte në krah, Qose tha se ata duhet të njësojnë idealet dhe qëllimet e të dy popujve dhe të arrijnë kohezionin.

Sipas tij, vetëm me kohezionin e kanë “mundur armikun”.

“Të njësojnë idealet, qëllimet e tyre politike. T’i kontribuojnë një vlere jashtëzakonisht të madhe që është quajtur e quhet kohezion i një populli, kohezion shpirtëror, shoqëror, moral, kombëtar.

Historia na ka mësuar se kur e arrin këtë kohezion, popujt, shtetet, gjithmonë kanë dalë fitimtar. Me kohezionin e kanë mundur armikun, e kanë arritur qëllimin. Kohezioni përmban fuqinë e një populli.”- i këshilloi Qose dy liderët shqiptarë.

Në një ceremoni të veçantë të mbajtur në Prishtinë, kryeministri Rama e nderoi profesorin Rexhep Qose, me dekoratën “Kordonin e Madh me Yllin e Medaljes”.

FJALIMI I REXHEP QOSES

E ndjej veten mirë, shumë mirë, madje i privilegjuar që kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, më nderoi këtu, para jush, me yllin e mirënjohjes publike, me një simbol shumë domethënës për historinë dhe jetën tonë kombëtare. Kryeministri Edi Rama është njëri prej politikanëve më të suksesshëm të Shqipëri në këto 30 vitet e fundit të ndërtimit të demokracisë në Shqipëri, i cili ka sjellë risi, fryte, zhvillime të reja në jetën politike, shoqërore, kombëtare shqiptare. Por, Edi Rama nuk është vetëm politikan, ai është edhe intelektual, intelektual krijues, ai është piktor dhe shkrimtar, ai shkruan romane, shkruan trajtesa për çështje historike e të tashme, ai shkruan ese, trajta të ndryshme letrare dhe kritike-eseistike. E ndjej veten shumë mirë dhe i privilegjuar, që ky nderim m’u bë sot, këtu në Prishtinë.

E ndjej veten mirë që ky nderim i veçantë u bë pas takimit të dy delegacioneve, atij të Shqipërisë me në krye Edi Ramën, dhe atij të Kosovës, me në krye Albin Kurtin. Dua të them se Edi Rama që është politikan dhe profesor, edhe Albin Kurti është politikan dhe intelektual krijues. Albin Kurti është një prej intelektualeve, që është çuar në një cilësi të veçantë. Duhet ta dëgjojmë kur paraqitet në televizione, në tubime të ndryshme, duhet t’i dëgjojmë deklaratat dhe intervistat e tij, për ta parë dhe për t’u bindur që ka një kujtesë të jashtëzakonshme, në të cilën janë mbledhur të dhëna, shumë të dhëna, sa në një bibliotekë, mbi historitë e Evropës, SHBA, popujve e kontinenteve të tjera, të dhëna mbi gjeografinë, mbi arte të ndryshme, mbi filozofinë. Prej fjalëve të tij mund të mësohet.

Edi Rama dhe Albin Kurti janë dy politikanë intelektualë, natyrisht të çmuar prej popullit, dhe kjo u pa edhe në zgjedhjet e fundit, në të cilat pjesa më e madhe e popullit ua dha votën, ua dha besimin. Nuk mund të mos e themi se kryeministri Edi Rama dhe kryeministri Albin Kurti janë politikanë dhe intelektualë, njëkohësisht edhe të kritikuar, kur e kur me arsye, por shpesh edhe pa arsye. Mund t’i dëgjojmë kritikat me të cilat mund të pajtohemi, por edhe ato kritika që janë pa të dhëna, pa argumente. Kritikat janë të nevojshme në jetën politike e shoqërore, janë edhe të dobishme. Sjellin nxitje e frymëzime të reja për përkushtime e punë të reja.

Fjala intelektual është një fjalë e krijuar, diku nga fundi i mesjetës dhe fillimi i rilindjes evropiane në Itali. Atëherë kur është krijuar, fjala intelektual kishte kuptimin “koka e popullit”. Pra, intelektualët janë trajtuar, konsideruar e çmuar si koka e popullit. Në mënyrë të veçantë kjo fjalë obligon ata që merren me politikë, pasi merren me jetën dhe të ardhmen e popullit. Në krijimtarinë time kurrë nuk i kam ndarë apo veçuar njërën prej tjetrës Shqipërinë dhe Kosovën. I kam parë bashkë, si një tërësi, të bashkuara në të kaluarën, siç kanë qenë, të bashkuara në të tashmen, dhe i kam ëndërruar të bashkuara edhe në të ardhmen.

Kam vërejtur se fundi i shekullit 20 dhe fillimi i shekullit 21 na kanë dhënë, na kanë premtuar, një gjasë, një shans historik për ta ndryshuar, për ta përmirësuar fatin tonë. Fati ynë ka qenë shumë i rëndë, një fat historik tragjik. Vetëm shqiptarët janë ata në Ballkan, që janë copëtuar në pesë shtete. Nuk ju ka ndodhur të tjerëve.

Gjasa që kemi për të bërë përpjekje për ta ndryshuar fatin tonë historik, na bën shumë përgjegjës të gjithë intelektualëve e politikanëve, por edhe gjithë popullin.
Takimi i sotëm i dy delegacioneve padyshim se mua më solli shumë gëzim. Mund të jeni të bindur se ky takim ju solli gëzim të gjithë shqiptarëve, kudo qofshin ata. Është një takim shumë premtues. Sa bukur duket kjo pamje e politikanëve, ministrave, të Shqipërisë dhe atyre nga Kosova. Duket bukur dhe premton shumë.

Unë i lejoj vetes, mosha në të cilën jam prej 85 viteve, më jep të drejtë morale, që t’i ftoj kryeministrin Edi Rama dhe kryeministrin Albin Kurti të takohen si sot, më shpesh. Të takohen qeveritë e tyre, të mbajnë mbledhje qeveritë e tyre të kryeministruara prej tyre. Në këto takime, në mbledhjet e tyre, të bëjnë, të njësojnë, një ideal të përbashkët, që na e ka lënë epoka më e madhe e historisë shqiptare, epoka e rilindjes shqiptare, të cilët kanë thënë “Si të krijojmë Shqipërinë dhe si të krijojmë shqiptarin”. Të njësojnë idealet, qëllimet e tyre politike. T’i kontribuojnë një vlere jashtëzakonisht të madhe që është quajtur e quhet kohezion i një populli, kohezion shpirtëror, shoqëror, moral, kombëtar.

Historia na ka mësuar se kur e arrin këtë kohezion, popujt, shtetet, gjithmonë kanë dalë fitimtar. Me kohezionin e kanë mundur armikun, e kanë arritur qëllimin. Kohezioni përmban fuqinë e një populli. Me kohezion ne do arrijmë të mënjanojmë një varkë pengesash, rreziqesh, që i kemi pësuar dikur pasojat e tyre. Disa rreziqe, provokime, sfida të ndryshme, që na ngasin edhe sot. Unë uroj që këta të punojnë e të kontribuojnë me politikën e tyre, me njësimin e idealeve dhe qëllimeve të tyre, t’i kontribuojnë këtij kohezioni, të bindur se me këtë kohezion ata do t’i realizojnë më lehtë qëllimet e tyre për zhvillimin politik, shoqëror, arsimor, kombëtar.