Vendosni fjalën kyçe....

Talibanët nxjerrin urdhrin strikt për berberët: Mos ua shkurtoni mjekrat klientëve


Talibanët u kanë ndaluar berberëve në provincën Helmand të Afganistanit të rruajnë ose shkurtojnë mjekrën, duke thënë se kjo shkel interpretimin e tyre të ligjit islam.

Siç shkruan BBC, policia fetare talebane thotë se kushdo që shkel rregullin do të ndëshkohet.

Disa berberë në kryeqytetin e Afganistanit, Kabul, kanë thënë se kanë marrë edhe atje urdhra të ngjashëm.

Udhëzimet e fundit, duket se po paralajmërojnë një kthim të vendimeve të rrepta të grupit në pushtet, pavarësisht premtimeve për një formë më të butë të qeverisjes.

Që nga marrja e pushtetit muajin e kaluar, talebanët kanë kryer dënime të ashpra ndaj kundërshtarëve. Të Shtunën, luftëtarët e grupit vranë katër të dyshuar për rrëmbime dhe trupat e tyre u varën në rrugët e qytetit perëndimor të Heratit.

Në një njoftim të postuar në sallonet në provincën jugore të Helmandit, oficerët talebanë paralajmëruan se parukierët duhet të ndjekin ligjin e Sheriatit për prerjen e flokëve dhe mjekrën.

“Askush nuk ka të drejtë të ankohet.”- thuhej në njoftim.

“Luftëtarët vazhdojnë të vijnë dhe na urdhërojnë të ndalojmë së shkurtuari mjekrat.”- tha një berber në Kabul. “Njëri prej tyre më tha se mund të dërgojnë inspektorë të fshehtë për të na kapur.”

Një berber tjetër, i cili drejton një nga sallonet më të mëdha të qytetit, tha se mori një telefonatë nga dikush që pretendonte se ishte një zyrtar qeveritar. Ata e udhëzuan atë që “të mos ndiqte stilet amerikane” dhe të mos rruante apo shkurtonte mjekrën e askujt.