Vendosni fjalën kyçe....

Tentakulat e inceneratorëve shtrihen edhe tek ujësjellësat me 30 milionë euro


Tentakulat e kompanive të inceneratorëve, pra të personazheve të njohur publikisht, që kanë përfituar kontrata koncesionare qindra milionë euro me qeverinë shqiptare, të cilat do të paguhen nga taksat e shqiptarëve duket se nuk janë vetëm në përpunimin e mbetjeve.

Pra kur flasim për Mirel Mërtirin, Klodian Zoton dhe Stela Gugallën, nuk po flasim vetëm tek 22 milion eurot e inceneratorit të Elbasanit, një skandal i shumëpërfolur dhe nga opozita, e cila mesa duket kohët e fundit ka “gëlltitur” gjuhën. Pa folur për 28 milion eurot e inceneratorit të Fierit, skandalit të djegies së mbetjeve atje, apo edhe faktit që u vonua, nuk u ndërtua dhe më shumë sesa incinerator modern, janë gjetur pajisjet dhe janë mbledhur lloj lloj instrumentash për të krijuar inceneratorë, të cilët duket se nuk i përkasin aspak, jo vetëm standardeve të BE-së, por as po kryejnë detyrën e tyre dhe janë kthyer në një barrë të madhe për institucionet e shtetit shqiptar.

Pa shkuar më tej në Tiranë, për 128 milionë euro kontratë koncesionare për incenerarorë, ku inceneratori nuk ekziston por kemi vetëm landfillin e shfrytëzuar nga një kompani private, të cilës tani iu shtuan edhe milionat e eurove nga mbetjet e Durrësit, e kështu me radhë.

Por, kush mendonte se këto tentakula shkojnë në koncesione me vlerë, rreth 178 milionë euro apo me fitime që afrojnë në 400 apo 500 milionë euro, e kanë gabim.

Tentakulat e inceneratorëve janë shtrirë edhe tek ujësjellësat.

CNA.al ka kryer një investigim të zgjeruar në lidhje me futjen e Klodian Zotos, tek ujësjellësat nëpërmjet instalimit të një sistemi elektronik të matësave.

Nuk fillon historia tani vonë, por ajo ka filluar më shpejt. Kjo histori ka filluar me Ujësjellësin e Korçës. Janë kontrata të lidhura, siç e përmendëm më lart, për “Për Financimin dhe Instalimin e një sistemi elektronik për matësit e ujit”. Klodian Zoto dhe kompania e tij, ITS, së pari ka shkuar në Korçë, ku kanë instaluar matësa, me vlerë gati 6 milionë dollarë. 

Gjithçka ka ndodhur në vitin 2014, sipas një auditimi nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili ka zbuluar se ka pasur procedura të parregullta për financimin dhe instalimin e matësave.

Gjithashtu dhe ka dënuar me gati 10 milionë lekë të vjetra administratorin e kompanisë, titullarin e autoritetit, Zotin Petrit Tare.

Raporti i KLSH, procedura të parregullta për financimin dhe instalimin e matësave

Në atë kohë u raportua në media, edhe një ndjekje penale e çuar nga KLSH, por gjithçka ka kaluar, pasi kanë kaluar gjashtë vite.

Zoti Tare ishte bashkëshorti i një gjyqtareje, Entela Prifti, të famshmes së Apelit në Korçë. Çështjet kanë kaluar, janë mbyllur. Çdo gjë është në heshtje. Por, Klodian Zoto mori 6 milionë dollarë nga taksat e qytetarëve të Korçës, për matësa inteligjentë, matësa elektronikë. Që quhen sistemi elektronik, për matësit e ujit.

Në fakt janë disa matësa kinezë, të cilët sillen dhe instalohen, duke pasur një vlerë 5-6 fish, më të lartë se tregu. Matësat kushtojnë nga 110-130 euro. Ndërkohë që matësat e zakonshëm kushtojnë në cilësinë e tyre më të lartë, të kolauduar dhe me standardet e BE-së, jo më shumë se 20 deri  në 30 euro.

Sipas të dhënave të siguruara nga CNA.al, shumica e këtyre matësave të përdorur në Korçë, kuptohet të gjetur në një lojë, pra të një sistemi elektronik raportimi, kanë pasur probleme. Sidomos për shkak të temperaturave në dimër.

Le të shohim më tej.

Pas Korçës, me 6 milionë euro, nuk ka shpëtuar as Ujësjellësi i Pogradecit.

Dhe kush mendon se do të ngelej me kaq, tentakulat e Klodian Zotos së incenerartorëve nëpërmjet lojës me projekte pilote për vendosjen e matësave të ujit me sistem elektronik kanë shkuar në Fier. Një projekt, i cili ishte disa fish më i shtrenjtë sesa në Korçë.

Në Fier, ka filluar një projekt pilot, por është lënë rrugës. Miliona euro të hedhura kot, nga ujësjellësi, për matësa të cilët pas disa vitesh, pas dy ose tre vitesh kur ka filluar projekti pilot me Ujësjellësin e Fierit, nuk kanë funksionuar. Janë gjetur të mbushur me baltë. Pra, miliona euro të ikura dëm.

Në atë kohë flitej se Ujësjellësi drejtohej nga Salarjon Totaj, bashkëshorti i deputetes dhe ministres socialiste, Zonjës Elisa Spiropali.

Por, Fieri është i treti. Në radhë ka edhe më shumë.


Me një projekt pilot, sërish për sistem elektronik, për instalim matësash është filluar në Lushnje. Pra, ujësjellësi i Lushnjes. Me gati 1. 5 milionë euro. Një projekt që duket se ka ngelur përgjysëm.

Në Elbasan gjithashtu, sërish me një projekt pilot. Në këtë bashki, ujësjellësi ka kërkuar të njëjtin system. Pra, atë që është bërë në Korçë, mesa duket Klodian Zoto dhe tentakulat e inceneratorëve kanë kërkuar ta çojnë në të gjithë Shqipërinë.- raporton CNA.al

Dhe në Elbasan mesa duket asgjë nuk ka përfunduar. Por, ajo që tashmë është edhe më e dukshme, është se projekti ka ardhur në Tiranë. Ujësjellësi i Tiranës ka zhvilluar disa tendera për vendosjen e matësave.

Miliona euro për matësa të cilët quhen inteligjentë, vlera e të cilëve është 6-fish më e lartë se ajo e tregut dhe në fakt nuk kryejnë asnjë funksion, në qëllimin final. Pra, të rritjes të të ardhurave të ujësjellësave, mirë menaxhimin e ujit dhe mos abuzimin me të.

Nga të dhënat zyrtare, të siguruara nga CNA.al, duket se tentakulat janë të shtrira në shumë bashki. Pra, siç i renditem në Korçë, në Pogradec, në Fier, në Lushnje, në Elbasan dhe së fundi edhe në kryeqytet, në Tiranë.

Dhjetëra milionë euro, për matësa me çmime katastrofike që nuk kanë dhënë asnjë rezultat. Rasti i Fierit ka treguar se shumë prej tyre janë mbushur me baltë dhe nuk kanë kryer funksionin.

Në Korçë është raportuar se shumë prej matësave kanë ngrirë.

Pra, përllogaritjet tregojnë një vlerë mbi 30 milionë euro, për matësa inteligjentë, ndërsa rezultati i tyre duket i pavlerë për ujsjëllësat.

Nga ana tjetër, KLSH-ja ka kapur në Korçë shkelje të evidentuara në gati 15 faqe raporte auditimi në procesverbale të mbajtura që nga viti 2014.

Pra, mesa duket ato që KLSH ka zbuluar në Korçë nuk e kanë frenuar Klodian Zoton, kompaninë e tij dhe ortakët e tij që si një oktapod, të shtrijnë tentakula në shumë qytete për të fituar miliona euro me projekte pilote, diku të lëna përgjysëm, diku të pazbatuara, të cilat CNA.al do t’i sjellë me fakte dhe dokumenta ekskluzive, ditë pas dite. Ata që mendojnë se inceneratorët, Klodian Zoto, Mirel Mërtiri & CO, janë vetëm një skandal, ndoshta janë shumë gabim.

Nga të dhënat rezulton se nuk janë vetëm kontratat koncesionare të inceneratorëve, por edhe miliona euro të tjera nga taksat e qytetarëve shqiptarë, të marra nëpërmjet ujësjellësave për gjoja sisteme efikase të menaxhimit të sistemeve elektronike, për matësat e ujit, e të tjera si këto që në fakt janë përgjysëm. Diku nuk bëjnë matësat e diku projektet nuk kanë ecur. Të gjitha ditë pas dite, do të raportohen nga CNA.al.

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e CNA.al