Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë pritet shumë shpejt të akreditohet nga Federata Europiane e Arsimit.
Rektori i UMSH-së, Prof.Dr Adrian Civici, Prof.Dr.Ksenofon Krisafi, Dekani i Fakultetit shkencave juridike dhe marrëdhënieve ndërkombëtare dhe prof.Dr.Ylljet Alicka pritën në një takim Znj.Claude Vivier le Got, Presidente e Federatës Europiane të Edukimit, partner i Këshillit të Evropës dhe UNESKO-s në fushën e politikave evropiane të arsimit, me statusin e pjesëmarrjes në Këshillin e Evropës.
Pasi u njoh me veprimtarinë akademike e shkencore të UMSH-së dhe objektivat e UMSH-së për të ardhmen, Znj.Claude Vivier le Got bëri një prezantim të zgjeruar të Federatës Europiane të Arsimit si partner i Këshillit të Evropës dhe UNESKO-s në fushën e politikave evropiane të arsimit duke theksuar ftesën, mundësitë, përfitimet, praktikat dhe hapat konkretë të përfshirjes së Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë në Federatën për Arsimin në Evropë (FEDE).
E pranishme në 40 vende të botës, me mbi 50 vjet eksperiencë dhe një rrjet të gjerë alumni, me gati 500 institucionet e rrjetit të saj, FEDE përfaqëson një model evropian progresiv për arsimin, veçanërisht arsimin e lartë universitar dhe kërkimin shkencor.
Të gjitha diplomat e FEDE-s bazohen në Sistemin Evropian të Akumulimit dhe Transferimit të Kredive (ECTS) dhe përputhen me standardet e Zonës Evropiane të Arsimit të Lartë (EHEA).
Akreditimi i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë pranë FEDE do të ofronte një garanci për standarte akademike e kërkimore cilësore, të njohura e certifikuara në të gjitha hapësirat arsimore evropiane e më gjerë.