Politikani holandez Arnoud van Doorn-i cili la partinë e ekstremit të djathtë të Geert Wilders dhe u konvertua në Islam-u arrestua në fundjavë për “komplot” për të vrarë kryeministrin, sipas avokatit të tij.
Policia arrestoi van Doorn për veprime “të dyshimta” ndërsa ishte në të njëjtën lagje me Mark Rutte në Hagë. Ai u lirua nga paraburgimi pa akuzë të hënën.
Van Doorn tha për mediat lokale se ai ishte në zonë për t’i dhënë ilaçe maceve të nënës së tij dhe u ndal për një kafe në një kafene që ndodhet përballë palestrës ku Rutte po stërvitej, shkruan Politico.eu.
Rutte këtë javë thuhet se iu dha siguri shtesë në përgjigje të frikës së një rrëmbimi ose një sulmi nga një bandë e krimit të organizuar. Sipas De Telegraaf, oficerët nga Shërbimi Mbretëror dhe i Sigurisë Diplomatike (DKDB) janë vendosur për të mbrojtur Rutte, i cili rregullisht shkon me biçikletë në punë.
Në vitin 2012, van Doorn u konvertua në Islam menjëherë pasi u largua nga Partia e Lirisë së Wilders, më vonë themeloi Partinë e tij për Unitetin, e cila nuk arriti të fitojë një vend në zgjedhjet parlamentare të këtij viti.
Ai është dënuar për postimet antisemite në Twitter, nxjerrjen e dokumenteve të këshillit në shtyp, posedimin e një arme zjarri të paligjshme dhe shitjen e drogës te të miturve. Përpara zgjedhjeve të këtij viti, van Doorn e hoqi nga lista një nga kandidatët e partisë sepse ajo refuzoi të ndalonte shitjen e ëmbëlsirave në formën e penisit.