Autoriteti i Konkurrencës (AK) ka mbyllur procedurën e hetimit të thelluar në tregun e importit dhe tregtimit me shumicë të maskave, në tregun e importit, prodhimit dhe tregtimit me shumicë të alkooleve dhe xhel dezinfektues, në tregun e importit dhe tregtimit me shumicë të termometrave.
Në përfundim të hetimit, është arritur në përfundimin se përgjithësisht ndërmarrjet që veprojnë në këto tregje kanë zbatuar masat e përkohshme të ndërmarra nga Autoriteti i Konkurrencës, të paktën pasi u gjobitën njëherë për moszbatimin e tyre vjeshtën e kaluar. Ndaj disa prej ndërmarrjeve që veprojnë në këto tregje janë vendosur detyrimet që parashikon neni 4 i ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”.
Ky nen ndalohen të gjitha marrëveshjet, të cilat kanë si objekt ose si pasojë pengimin, kufizimin ose shtrembërimin e konkurrencës në treg, veçanërisht marrëveshjet që caktojnë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, çmimet e blerjes ose të shitjes, apo çdo kusht tjetër tregtimi; kufizojnë ose kontrollojnë prodhimin, tregjet, zhvillimin teknik ose investimet; ndajnë tregjet ose burimet e furnizimit; në marrëdhëniet tregtare me palët e tjera, zbatojnë kushte të ndryshme për transaksione të njëjta, duke i vendosur ato në gjendje të pafavorshme konkurrence; kushtëzojnë lidhjen e kontratave me pranimin nga palët e tjera kontraktuese të detyrimeve shtesë që, për nga natyra ose nga përdorimi i tyre tregtar, nuk kanë lidhje me objektin e këtyre kontratave.
AK i ka vendosur detyrimet e mësipërme me vendime të veçanta për ndërmarrjet Trimed, Euromed, Farma Net Albania, Alfarmakos, Florifarma, Aquarius Medical, Florfarma, CFO Pharma, Megapharma, NewMedical Plus dhe Pharma One. Një pjesë e këtyre ndërmarrjeve, kanë depozituar pranë AK angazhime vullnetare për të mos ndërmarrë sjellje që ligji i klasifikon si marrëveshje të ndaluara apo abuzime me pozitën dominuese.
Në 15 tetor të vitit të kaluar, Autoriteti i Konkurrencës vendosi hapjen e procedurës së hetimit të thelluar në tregun e importit dhe tregtimit me shumicë të maskave, në tregun e importit, prodhimit dhe tregtimit me shumicë të alkooleve dhe xhel dezinfektues, në tregun e importit dhe tregtimit me shumicë të termometrave.
Vendimi erdhi në vijim të hetimit paraprak që ishte hapur në mars 2020, shoqëruar edhe me vendosjen e masave të përkohshme që urdhëronin ndërmarrjet që vepronin në këto tregje të mos abuzonin me çmimet e shitjes së produkteve të lidhura me pandeminë. Bashkë me vendimin për hapjen e hetimit të thelluar, në 15 tetor 2020, AK konstatoi se 24 ndërmarrje nuk i kishin zbatuar masat e përkohshme dhe i gjobiti ato me gjithsej 3 milionë lekë.
Në fakt, mbështetur në të dhënat e Autoritetit të Konkurrencës, vihet re se çmimet e shitjes së materialeve më të përdorura gjatë pandemisë, si maskat apo xheli dezinfektues kanë pasur luhatje të konsiderueshme dhe më të mëdha krahasuar me çmimet e blerjes. Për shembull, në periudhën qershor 2020 – dhjetor 2020 çmimi i blerjes së xhelit dezinfektues për një nga ndërmarrjet nën hetim është luhatur me 15%, ndërsa çmimi i shitjes për të njëjtin produkt është luhatur me 21%.
Për më tepër, në shumicën e rasteve lëvizjet në çmimin e shitjes së produktit nuk kanë qenë të lidhura me ndryshimet në çmimin e blerjes. Për shembull, në gusht 2020 ndërmarrja në fjalë e rriti çmimin e shitjes nga 368 lekë në 434 lekë, megjithëse çmimi i blerjes prej tre muajsh radhazi kishte qenë i pandryshuar në 250 lekë. Megjithëse një nga pikat e masave të përkohshme të AK kërkonte aplikimin e çmimeve të orientuara në kosto, në fakt gjatë periudhave të veçanta ndërmarrjet kanë rritur ndjeshëm marzhet për arsye që, në pamje të parë, nuk lidhen me çmimin e blerjes së produktit./E.Shehu
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor