Vendosni fjalën kyçe....

Deputetët e PS-së s’paraqiten në Komisionin e Jashtëm, e bëjnë online takimin, Alizoti: Rama ka frikë nga përballja


Deputetët e Partisë Socialiste kanë bojkotuar mbledhjet e sotme të Komisioneve Parlamentare. Si në dy komisionet, atë të Ligjeve dhe atë të Shëndetësisë, ata nuk janë paraqitur as në komisionin e Politikës së Jashtme. Deputetët e PD-së e kanë gjetur bosh sallën ku pritej të zhvillohej mbledhja.

Mbledhja ndërkohë ka nisur online dhe kryetarja e komisionit Kodheli po e zhvillon atë vetëm me deputetët e PS-së. Në një deklaratë për mediat, deputeti Tomor Alizoti pohoi se kryeministri Rama ka frikë nga përballja.

Alizoti theksoi se ndërsa tanket serbe janë në kufi me Kosovën e vendi u vizitua nga presidentja e KE-së, Von der Leyen, socialistët nuk paraqiten në komision.  

Ai shtoi se është e pamendueshme që komisioni të mblidhet online, ndërkohë që kafet janë plot, ku Kosova po përballet me një sfidë të ndërlikuar e ku diskutohet për Ballkanin e Hapur për rritjen e ndikimit të Serbisë.

“Është absurde që Komisioni i Jashtëm, në pikën më të rëndësishme të kombit shqiptar, ku tanket serbe janë në kufi, ku sot është edhe vizita e Von der Leyen-it, në situatën kritike të politikës së jashtme, Komisioni parlamentar i Politikës së Jashtme mblidhet online, pra, mblidhet nëpërmjet telefonave, mblidhet nëpërmjet selfie-t. Kur e gjithë Shqipëria është e hapur, kur kafet janë plot, kur koncertet nga bota sllave vijnë dhe këndojnë në Shqipëri, me mijëra njerëz të cilët konsumojnë edhe alkool, Shqipëria sot dhe kombi shqiptar që ka një sfidë të madhe, ku ka lënë Kosovën vetëm, ku diskutohet vetëm Open Balkan, për influencat e Serbisë, kur influencat ruse janë afër Ballkanit, komisioni i Jashtëm është online. Është me telefona. Ne ishim fizikisht dhe nuk patëm mundësi të komunikomnim me njëri-tjetrin, të komunikonim me kolegët tanë, të kuptonim mbi sfidat e politikës së jashtme, mbi sfidat e këtij vendi, është absurde, është e turpshme që kjo Republikë Parlamentare, s’ka asnjë tipar parlamentar. Ky shtet është kthyer në një teatër kukullash. Është keq për vendin,ndjehem shumë i shqëtësuar bashkë me kolegët e mi që nuk kemi mundësi të mbrojmë interesat e vendit  tonë, interesat e Shqipërisë, interesat e opozitës. Por fakti që kryeministri, “ikona e modës shqiptare”, ka frikë nga përballja, është e tmerrshme për këtë vend. Ndjehem shumë i trishtuar që ne nuk kemi jetë parlamentare.” – tha Alizoti.