Kryetarja e Komisionit të Shëndetësisë, Albana Vokshi, ka dalë në një deklaratë për mediet, lidhur me dështimin e mbledhjes së sotme të këtij komisioni.
Zonja Vokshi tregoi para kamerave se opozita ka kërkuar që mbledhja të zhvillohet me prani fizike, por maxhoranca insistonte në zhvillimin e saj ‘online’.
Sipas deputetes së PD-së, maxhoranca ka shkelur sot rëndë Kushtetutën duke i hequr të drejtën e fjalës deputetëve të opozitës, duke ndërprerë transmetimin live të mbledhjes dhe duke e fshirë atë nga llogaria zyrtare në “Facebook”. Po ashtu mbledhja u ndërpre edhe nga RTSH.
“Sot është shkelur në mënyre flagrante rregullorja e Kuvendit, kushtetuta. Sot iu hoq e drejta e fjalës opozitës brenda komisionit parlamentar. Ju nuk u lejuat të ndiqnit mbledhjen e komisionit për shëndetësinë. Unë dje kam njoftuar që mbledhja të zhvillohet me praninë fizike të deputetëve. Jo vetëm që nuk u mor asnjë masë për këtë, por jemi bllokuar nga stafi i kuvendit.
Ka qenë sekretari i Kuvendit që na ndaloi. Unë kërkoj të merren masa urgjente për këdo që ka tentuar të minojë oporitarizmin. A e dini që urdhëruan ndërprerjen e transmetimit live në RTSH Kuvend? A thua që RTSH nuk është një transmetues publik.
Më tej na fshinë në rrjetet sociale dhe në çdo ëeb apo portal të Kuvendit, sikur ne nuk ishim aty. Ata kanë frikë nga fjala e lirë. Janë mësuar me kukulla me fasadë. Ky kryeministër që mashtron dhe i shtrin dorën opozitës, por kjo mazhorancë ka dy standarde, njëra është që opozita të mos duket në publik e të ketë të drejtë fjale. Tregova ceremonitë gala ku kanë qenë dhjetëra të ftuar. Këtu keni një mbledhje qeverie.
Pse Edi Rama mund ta mbledhë qeverinë me ministrat e tij dhe ne nuk mbledhim anëtarët e komisionit. Pra një standard për mazhorancën që lejohen të zhvillojnë këto aktivitete, ndërsa opozitës s’i lejohet. Ku janë protokollet e sigurisë? Ajo që ka ndodhur është që kjo qeveri dhe Edi Rama kanë frikë nga opozita. Lirinë Edi Ramës nuk ia falim, do të jemi në komision. Do të kërkojmë që nesër mbledhjen me prani fizike në komision dhe administrata e Kuvendit është e detyruar të sigurojë këtë me protokollet e nevojshme.”- tha Vokshi.