Vendosni fjalën kyçe....

Ministria i përgjigjet Subashit për skandalin në azilin e të moshuarve: Ne vetëm japim fondet, administrimin e bëni ju


Pas skandalit në azilin e të moshuarve në Fier të raportuar ditën e djeshme nga emisioni ‘Fiks Fare’, Ministria e Shëndetësisë ia ka kaluar përgjegjësinë Bashkisë së Fierit.

Në një deklaratë nga ana e Shërbimit Social Shtetëror, thuhet se azili është në administrimin e bashkisë së drejtuar nga Armando Subashi, edhe pse SHSSH, është ai që jep fondet për shtëpitë e të moshuarve.

Pas publikimit të skandalit, ku punonjësit merrnin ushqimet e azilit dhe i dërgonin në shtëpi, ka reaguar ditën e sotme bashkia e Fierit që ka pezulluar punonjëset në fjalë.

Pas kësaj bashkia e Subashit ka thënë se Shtëpia e të Moshuarve varet nga Ministria e Shëndetësisë, gjë që është hedhur poshtë nga kjo e fundit me anë të deklaratës për shtyp.

Reagimi i Ministrisë së Shëndetësisë

“Nisur nga kronika e publikuar në datën 27 shtator 2021 në emisionin investigativ “Fiks Fare”, Shërbimi Social Shtetëror sqaron se:

Qendra e Shërbimeve për të Moshuarit, Fier, është institucion që ofron shërbim shoqëror rezidencial, për këtë grupmoshë. Ky institucion sipas Vendimit Nr. 850, datë 15.12.2006 pika c. pika 3, ka varësi nga Bashkia Fier, për ndërtesën, fondet, pajisjet, inventarin dhe personelin. Për rrjedhojë është kopetencë e Bashkisë Fier administrimi i personelit pranë këtij institucioni (emërime, lirime, masa administrative etj.).

Shërbimi Social Shtetëror nuk bën emërimin apo lirimin nga detyra të punonjësve në Shtëpinë e të Moshuarve Fier. Shërbimi Social Shtetēror alokon fondet për paga, sigurime shoqërore dhe shpenzime operative si edhe monitoron shërbimin e ofruar për të moshuarit, lë rekomandime, ndërsa për fondet bēn auditim ekonomiko financiar. Nisur nga kronika e publikuar në emisionin Investigativ “Fiks Fare”, është nisur auditimi ekonomiko financiar për gjithë vitin 2021 me shkresën nr. 1753 prot. datë 28.09.2021.