Vendosni fjalën kyçe....

Shefi i bankës Islamike në Afganistan paralajmëron: Sektori pranë kolapsit


Sistemi bankar i Afganistanit është afër kolapsit, të paktën kështu ka thënë shefi i njërit prej huadhënësve më të mëdhenj të këtij vendi.

Syed Moosa Kaleem Al-Falahi, i cili është Shefi Ekzekutiv i Bankës Islamike të Afganistanit, tha për BBC-në se industria financiare e vendit është në prag të një “krize ekzistenciale” ndërsa klientët janë në panik.

Ai u shpreh se për momentin po ndodhin vetëm tërheqje të parave.

“Ka tërheqje të mëdha që po ndodhin për momentin.”- tha ai, duke folur nga Dubai, ku ai është vendosur përkohësisht për shkak të kaosit në Kabul. “Vetëm tërheqje po ndodhin, shumica e bankave nuk po funksionojnë dhe nuk ofrojnë shërbime të plota.”

Ekonomia e Afganistanit ishte tashmë në terren të lëkundur edhe para se talebanët të merrnin kontrollin në gusht. Ajo është jashtëzakonisht e varur nga ndihma e huaj – rreth 40% e prodhimit të saj të brendshëm bruto (PBB) vjen nga ndihma ndërkombëtare, sipas Bankës Botërore.

Por që nga marrja nën kontroll e talebanëve, Perëndimi ka ngrirë fondet ndërkombëtare, përfshirë asetet që Afganistani mund të ketë pasur me Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN). Zoti Al Falahi thotë se kjo po inkurajon talibanët të kërkojnë burime të tjera të mbështetjes financiare.

“Ata mezi presin Kinën dhe Rusinë, dhe disa vende të tjera gjithashtu… duket se herët a vonë, ata do të jenë të suksesshëm në dialog.”- tha ai. Kina tashmë ka folur për dëshirën e saj për të ndihmuar në rindërtimin e Afganistanit dhe për të punuar me talebanët.