Vendosni fjalën kyçe....

“Të të vijë turp” – Mbyllet pa filluar mirë mbledhja në Komisionin e Ligjeve


Është mbyllur mbledhja e parë e Komisionit të Ligjeve ende pa filluar mirë.

Kjo pas një debati mes deputetëve të PD-së dhe kryetares së këtij Komisioni, Klotilda Bushka.

“Sipas njoftimit nga Sekretaria e Komisionit, të gjithë anëtarët janë lajmëruar për organizimin e kësaj mbledhjeje online. Të pranishëm janë këta kolegë. Po i marr me radhë sipas ekranit. Damian Gjiknuri, Alqi Bllako, Pëllumbi, Kollcaku, Deliu, Ndreca, Valikaj, Duraku, Celiku, Cyrbja, Xhoxhi, Hasalla dhe Gogu”- tha Bushka.

Ndërsa zonja Bushka po fliste, ndërhyri Sekretari i Përgjithshëm i PD-së dhe anëtar i këtij Komisioni, Gazment Bardhi i cili ishte prezent në sallë dhe kërkonte zhvillimin e mbledhjes fizikisht.

“Deputetë e opozitës të logohen online.”- ishte kërkesa e zonjës Bushka. Por Bardhi iu kundërpërgjigj: “Nuk e cakton ti se si duhet të logohemi. Ti je prezent në sallë, unë jam prezent! A ka mundësi të na japësh fjalën!”.

Por me zonjën Bushka që shprehej se kjo nuk është e mundur, Bardhi iu drejtua asaj me fjalët “Të të vijë turp që i injoron deputetët e opozitës” dhe pas avancimit të debatit, kryetarja e Komisionit u shpreh se “në këto kushte unë e mbyll mbledhjen, ju uroj të gjithëve suksese. Për mbledhjen tjetër do të njoftoheni.”