Vendosni fjalën kyçe....

Ardi Veliu mesazh familjes së nënkomisarit Saimir Hoxha: Ju nuk do të jeni vetëm asnjëherë


Në homazhet e zhvilluara sot në nder të “dëshmorit të Atdheut” Saimir Hoxha, ka mbajtur një fjalim dhe kreu i Përgjithshëm i Policisë, Ardi Veliu.

Pasi shprehu ngushëllimet për familarët dhe kolegët e nënkomisarit që u vra mëngjesin e së martës, Veliu tha se kjo duhet të shërbejë si ditë reflektimi, për të gjithë ata që duan rregullin e ligjin, për ta përkrahur më fort Policinë e Shtetit në përmbushjen e misionit të saj.

“Ndërkohë është edhe një kambanë alarmi për të ndalur përbaltjen e Policisë, duke i shërbyer me dashje apo pa dashje, frymëzimit të krimit që merr guxim e ngre dorën vrastare mbi punonjësit e Policisë së Shtetit.”- shton kreu i Policisë.

Ai iu drejtohet familjarëve të nënkomisarit të ndjerë, se ata nuk do të jenë asnjëherë vetëm pir se gjithmonë do të jenë pjesë e familjes së madhe të Policisë së Shtetit dhe do të kenë mbështetjen e tyre.

FJALIMI I ARDI VELIUT

I nderuar zoti Ministër,

Të nderuar familjarë dhe të afërm të Saimir Hoxhës,

Të nderuar kolegë dhe pjesëmarrës,

Sot ka shumë dhimbje, është një ditë e trishtë, por edhe një ditë reflektimi.

Ka shumë dhimbje për prindërit, bashkëshorten dhe dy engjëjt e kolegut tonë të paharruar Saimir Hoxha, dhe familjarët e tij.

E trishtë dhe e dhimbshme për gjithë organizatën e Policisë, pasi humbëm një tjetër koleg, shok, mik, por mbi të gjitha një oficer të përkushtuar për të kryer detyrën dhe për t’i shërbyer Atdheut. Atdheu sot nuk mund të ketë një mik më të mirë se ty Saimir!

Për mua si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit nuk ka moment më të vështirë se ky, të gjej fjalët e duhura për të ngushëlluar familjarët e Saimirit, si dhe të përshkruaj me pak fjalë karrierën 18-vjeçare të tij në shumë komisariate të vendit, me çdo detyrë të përmbushur më së miri.

Falë përkushtimit e ndershmërisë, Saimiri krijoi profilin e një punonjësi të respektuar e të vlerësuar nga qytetarët. Ndaj të gjithë tashmë kemi barrën e rëndë të mirënjohjes dhe respektit, që nuk do mjaftojnë kurrë, përballë veprës sublime të tij dhe qindra Dëshmorëve të Policisë.

Por kjo ditë është njëkohësisht ditë reflektimi, për të gjithë ata që duan rregullin e ligjin, për ta përkrahur më fort Policinë e Shtetit në përmbushjen e misionit të saj.

Ndërkohë është edhe një kambanë alarmi për të ndalur përbaltjen e Policisë, duke i shërbyer me dashje apo pa dashje, frymëzimit të krimit që merr guxim e ngre dorën vrastare mbi punonjësit e Policisë së Shtetit.

Kolegu ynë dha jetën në përpjekje për të bërë detyrën sa më mirë, i udhëhequr nga ligji, vlerat e sakrifica deri në sublim. Ai u vra nga një i ri, i arrestuar më parë nga Policia dhe i çuar para drejtësisë, e cila e liroi edhe pse kishte një dënim me disa vite burg.

Saimiri dhe Policia sot janë vrarë dy herë, nga krimi dhe nga drejtësia e vjetër, që shpeshherë vendimet e saj, i kanë paguar me jetë punonjësit e Policisë së Shtetit.

Organizata e Policisë është e vetmja që ka paguar kaq shtrenjtë përmbushjen e detyrës dhe misionit të saj. Dhe kjo, jo për paaftësi apo për mungesë profesionalizmi të punonjësve.

Punonjësit e Policisë përballen çdo ditë me krimin, me paligjshmërinë. Dalin në mëngjes nga shtëpia duke u përshëndetur me familjen si të ishte hera e fundit, pasi e tillë është puna dhe misioni ynë.

Ndaj është shumë e nevojshme përkrahja masive e qytetarëve dhe e agjencive ligjzbatuese, që bashkërisht të krijojmë një ambient më të sigurt për qytetarët dhe sa më të pasigurt për shkelësit e ligjit.

Punonjësit e Policisë janë rojtarë të ligjit, gardianë të sigurisë, të cilët mbrojnë jetën me jetë. Jam i bindur se shumica e qytetarëve janë të pikëlluar për humbjen e jetës së Saimirit. Këtë pikëllim e kanë shprehur edhe në qindra mijëra mesazhe e komente, nga dje e deri sot, të dërguara në adresën e Policisë së Shtetit. Kjo mbështetje na lehtëson sadopak dhimbjen e na motivon për të ecur përpara.

Të nderuar familjarë të Nënkomisar Saimir Hoxhës,

Ju nuk do të jeni vetëm asnjëherë. Jeni pjesë e familjes sonë të madhe, që është Policia e Shtetit dhe përherë do t’ju gjendemi pranë, për t’ju lehtësuar sadopak mungesën fizike të Saimirit.

Ky moment i ndarjes fizike me Saimirin është shumë i vështirë jo vetëm për familjen dhe për gjithë organizatën e Policisë, por është dhe burim force e kurajoje për të vazhduar luftën me vendosmëri kundër krimit në përgjithësi dhe krimit të organizuar në veçanti.

Memorialit të Dëshmorëve të Policisë sot iu shtua një tjetër yll, që do shkëlqejë bashkë me 224 kolegët e tij, të cilët në këto vite dhanë jetën për ta bërë Shqipërinë një vend më të sigurt.

Përulemi para trupit të heroit, duke premtuar se nuk të na stepë për asnjë moment kërcënimi i frikës. Çdo vështirësi vetëm na qartëson rrugën ku ecim, në shërbim të qytetarëve për një Shqipëri më të mirë.

U prehsh në paqe, miku, shoku e kolegu ynë, Dëshmor i Atdheut, Saimir Hoxha!

Të paharruara do të jenë përjetësisht kujtimi dhe vepra jote!