Tre persona janë arrestuar në Tiranë pasi akuzohen për shfrytëzim prostitucioni.
Në pranga ka rënë pronari i lokalit ku ushtrohej prostitucioni, një klient si dhe një ndërmjetësues.
Në Fier e Luzhnjë e janë ndaluar tre persona të cilët akuzohen për vepra të ndryshme penale.
Në Lushnjë ka rënë në pranga një person me iniciale M.B., pasi akuzohet për zjarrvënie.
Në Fier janë ndaluar dy persona pasi akuzohen për dhunë në familje e shitje droge.
Njoftimi Tiranë
Tiranë
Goditet një rast i shfrytëzimit për prostitucion dhe përshtatjes së ambienteve për prostitucion.
Vihet në pranga, për shfrytëzim për prostitucion dhe për mbajtje të lokalit për shfrytëzim prostitucioni, pronari i një lokali. Në pranga edhe 2 shtetas të tjerë, njëri prej tyre klient, ndërsa tjetri ndërmjetësues.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, në bazë të provave të grumbulluara, pas një hetimi disamujor, kanë goditur një tjetër rast i shfrytëzimit për prostitucion dhe përshtatjes së ambienteve për prostitucion, si rezultat i të cilit u vu në pranga shtetasi: A.(Z.) T, 61 vjeç, i cili u kap në flagrancë, pasi kishte çuar një shtetase në një hotel të kryeqytetit, për të ushtruar prostitucion.
Gjithashtu, shtetasi A.(Z.) T. përdorte lokalin në pronësi të tij si pikë takimi për të ndërmjetësuar mes personave të ndryshëm për aktivitetin e prostitucionit, ku merrte një pjesë të fitimit nga femrat që e ushtronin këtë veprimtari dhe nga klientët e angazhuar në këtë veprimtari të kundërligjshme. Në vijim të operacionit u arrestuan në flagrancë për veprën penale “Prostitucioni”, shtetasi Q. A., 66 vjeç (klient) dhe për veprën penale “Moskallëzim i krimit”, shtetasi Gj. P., 61 vjeç.
Në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë vijojnë hetimet për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale “Prostitucioni”, “Shfrytëzimi i prostitucionit”, “Mbajtja e lokaleve për prostitucion” dhe “Moskallëzimi i krimit”.
Njoftimi Lushnjë
Lushnjë/Dogji një sipërfaqe prej 10 hektarë me pemtari dhe vreshta në kodrat e lagjes “Kadri Qysfri” kapet dhe ndalohet autori. Në vijim të punës hetimore për zbulimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve të zjarrvënieve të qëllimshme apo nga pakujdesia, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë ndaluan shtetasin e shpallur në kërkim M. B., banues në Lushnjë, pasi në kodrat e lagjes “Kadri Qystri”, duke djegur barëra në tokën e tij, si pasojë flakët e zjarrit kanë dalë jashtë kontrollit dhe është djegur një siperfaqe prej 10 hektarësh me pemë ulliri dhe vreshtari. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.”
“Lushnjë/ Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë ndaluan shtetasin e shpallur në kërkim M. V., 20 vjeç, banues në Lushnjë, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë psikologjike dhe ka kanosur me një mjet të mprehtë(thikë) nënën e tij. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.”
Njoftimi Fier
“Fier/Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier, në vijim të punës për kapjen dhe ndalimin e shtetasve të shpallur në kërkim, ndaluan shtetasin N. Sh., 39 vjeç, banues në Roskovec.
Ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi Gjykata e Shkallës së Parë Fier me vendimin e datës 08.04.2021 ka vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg” për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Ky shtetas, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, i kanë shitur një sasi lëndë narkotike cannabis sativa, një shtetasi i cili është arrestuar më parë nga ana jonë. Për arsye hetimi nuk jepen më shumë të dhëna pasi vijojnë hetimet për kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.”