Sali Berisha deklaroi në foltoren e organizuar në Durrës se kërkesën për largimin e Lulzim Bashës nga partia në 2017 e ka të dokumentuar.
Berisha theksoi se nuk nisi procesin e duhur në atë moment sepse nuk kishte ndërmend të rikthehej.
“Është e vërtetë që i kërkova Lulzim Bashës, dhe nuk mund ta mohojë kurrë, të japë dorëheqjen pas zgjedhjeve të 2017, sepse humbje të tillë nuk kishim njohur kurrë që nga 1997, por problemi është se nuk nisa procesin e duhur, që ai të merrte të gjitha përgjegjësitë për atë humbje të tmerrshme që pësuam më 2017. Unë çdo gjë i thoja atij në zyrën time, dhe i kam të dokumentuara gjërat, por nuk e bëja atë, sepse nuk kisha ndërmend kurrë të rikthehesha më. Isha i vendosur të qëndroja njëri prej, pa të drejtë kthimi. Dorëheqjen time e kisha konceptuar si një dorëheqje pa kthim, dhe nëse unë futesha në probleme të brendshme të PD, unë nuk mund të futesha pa një projekt. Kjo më pengonte mua. Por vjen një moment, kur gabimet, mangësitë, nuk mund të të pengojnë më, që të ngrihesh në lartësinë e kërkesave, pritshmërive, dhe të luftoj së bashku me ju për një PD më të bashkuar, më të fortë, më të hapur, që ecën e sigurt drejt fitores.
Ndaj dhe unë nisa këtë foltore, dhe ua them me kënaqësinë më të madhe, se gjej sot të njëjtin entuziazëm, që këto foltore kanë pasur më 1991, sepse ka një vullnet të hekurt nga demokratët e demokratet, njerëz të idealeve, njerëzore e kombëtare, të ngrihen në këmbë për të shpëtuar PD dhe Shqipërinë”-deklaroi Berisha.