Evi Kokalari e cila shoqëron Sali Berishën në foltoren e Durrësit deklaroi se Basha e përjashtoi nga Grupi Parlamentar pasi e shiti për të mbyllur dosjen e tij penale në SHBA.
“Zoti Berisha është përjashtuar nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike pasi është këmbyer me mbylljen e dosjes së korrupsionit të Lulzim Bashës, një dosje që ekziston në Shqipëri dhe në Amerikë. Kjo është e vetmja arsye pse është përjashtuar Sali Berisha. Këtë do e verifikojmë në SHBA”-tha ajo, duke shpjeguar se bëhet fjalë për një dosje lobimi në SHBA.
Ndërsa ish-kreu i PD-së, Sali Berisha, bëri thirrje nga Durrësi që të nisë mbledhja e firmave për të mbledhur Kuvendin Kombëtar.
“U ftoj ju, të dashur miq, të angazhohemi në një dialog mes të gjithëve demokratëve.
Ne do e bëjmë këtë Kuvend, në radhë të parë për të sanksionuar norma dhe standarde për rolin tuaj. Duhet të jeni ju që do zgjidhni me votën tuaj kandidatët për kryetarë bashkie, këshilltarët tuaj, deputetët tuaj, sepse këtë e kërkon maturia e demokracisë në këto 30 vite. Kjo është praktika më e suksesshme në vendet më të zhvilluara të botës.
Kuvendi do sanksionojë se kur një kryetar nuk mund të grabisë pushtetin e forumeve, dhe në momentin e parë që e bën atë, ai automatikisht nuk është më kryetar.
Do mbledhim Kuvendin edhe për t’u afruar shqiptarëve alternativën që ata e kanë jetike. Deri më sot ata kanë vetëm një alternativë: largimin në rrugët e botës. Jo, ne do ofrojmë alternativën tonë”-deklaroi Berisha./Hashtag.al