Gati 600 punonjës të linjës ajrore amerikane United Airlines do të pushohen nga puna, pasi nuk respektuan politikën e kompanisë për t’u vaksinuar kundër Covid-19.
Pjesa më e madhe e stafit prej 67,000 vetash kanë dorëzuar dëshmitë e tyre të vaksinimit, që iu kërkuan të hënën.
“Ky ishte një vendim tepër i vështirë.”- thanë shefat e tij në një memorandum për punonjësit.
Kompania ajrore me bazë në Çikago përcaktoi kërkesat për vaksinimin e stafit në muajin Gusht.
Punonjësit e saj amerikanë duhej të dorëzonin provën e vaksinimit, ose të paktën të kishin kryer të parën nga dy dozat e kërkuara, deri në afatin e së hënës.
593 nga punëtorët e kanë refuzuar vaksinën dhe tani përballen me humbjen e punës.
“Arsyetimi ynë për të kërkuar vaksinën për të gjithë punonjësit e United në SHBA ishte i thjeshtë – për t’i mbajtur njerëzit tanë të sigurt – dhe e vërteta është kjo: të gjithë janë më të sigurt kur të gjithë vaksinohen, dhe kërkesat për vaksinën funksionojnë.”- tha shefi ekzekutiv i linjës ajrore, Scott Kirby dhe presidenti Brett Hart.
“Ky ishte një vendim tepër i vështirë, por mbajtja e ekipit tonë të sigurt ka qenë gjithmonë përparësia jonë e parë.”- shtuan ata.
United Airlines tha se do të ndiqte rregullat e përcaktuara në marrëveshjet e sindikatës për shkarkimet. Procesi mund të zgjasë në javë ose muaj.